Agjencia australiane e inteligjencës zbuloi se një ish-politikan "shiti" vendin tek një agjenci e inteligjencës së huaj, raportuan mediat lokale.
Të mërkurën vonë, shefi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë të Australisë (ASIO), Mike Burgess, tha se spiunët e huaj kishin vënë në shënjestër australianët, duke përfshirë një ish-politikan që më pas "shiti Australinë", raportoi SBS News.
"Ky politikan shiti vendin, partinë dhe ish-kolegët e tij për të çuar përpara interesat e një regjimi të huaj", citoi transmetuesi të thoshte Burgess.
Zbulimi ka shkaktuar rrëmujë politike në vend, ndërsa politikanët tani i bëjnë thirrje Burgess të zbuloj emrin e politikanit që ka punuar për inteligjencën e huaj.
Udhëheqësi i opozitës Peter Dutton i është bashkuar gjithashtu thirrjeve dhe ka kërkuar që të ekspozohet ish-politikani "tradhtar" i cili u rekrutua nga spiunët që punojnë për një vend të huaj.
"Nëse ai (Burgess) nuk e tregon emrin, atëherë të gjithë të tjerët do të jemi të dyshuar", tha Dutton.
Ministrja e Punëve të Brendshme e vendit Clare O'Neil tha se një qeveri e huaj u përpoq të depërtonte në majat e politikës australiane.
"Çdo politikan në këtë vend duhet të kuptojë se puna që bën dhe informacioni që ka është tepër i vlefshëm për qeveritë e huaja dhe do të ketë përpjekje që të përdoren miqësitë, rrjetet, teknologjinë për të arritur deri te informacioni", tha ministrja për ABC News.
Ndërkohë, djali i ish-kryeministrit Malcolm Turnbull zbuloi se një agjent kinez i është afruar në vitin 2017, duke kërkuar investime për një projekt infrastrukturor.
"Reagimi im ishte të mos shprehja asnjë interes dhe t'i dërgoja detajet menjëherë autoriteteve", citoi Sky News të thoshte Alex Turnbull.
Deklarata e tij erdhën pas zbulimit nga Burgess, ndërsa shefi i ASIO nuk përmendi se për cilin vend të huaj bëhet fjalë apo politikanin./aa