Komisioni Europian do të japë 82 milionë euro për organizatën e OKB-së për ndihmën palestineze, UNRWA. Pagesat u ndërprenë pas akuzave të Izraelit për përfshirje të punonjësve të kësaj organizate në terrorin e Hamasit.
Për një muaj Komisioni Europian i ndaloi ndihmat për organizatën palestineze të OKB-së, UNRWA pasi qeveria izraelite akuzoi 12 punonjës të kësaj organizate për bashkëpunim me organizatën radikal-islamike Hamas. Hamasi, që nga BE e SHBA kategorizohet si organizatë terroriste sulmoi më 7 tetor Izraelin, ku u vranë rreth 1200 vetë dhe u morën si pengje 250 të tjerë. Sulmi terrorist nxiti një aksion të gjerë ushtarak të Izraelit, në të cilin sipas të dhënave të palës palestineze janë vrarë më shumë se 30.000 vetë. Hamasi refuzon të dorëzohet dhe të lirojë pengjet.
50 milionë euro marrin dritën e gjelbër
Nga java që vjen do të fillojnë pagesat e BE drejt UNRWA-s. Në fillim do të transferohen 50 milionë euro, më tej 32 milionë euro të tjera gjatë vitit me dy këste. Organizata e OKB-së kishte pranuar kushtet e BE në lidhje me pagesat pas bisedimeve të gjata. Do të ketë një hetim të akuzave nga revizioni i brendshëm i OKB.së. Edhe BE me ekspertët e saj do të zhvillojë hetime.
Kreu i UNRWA-s, Philippe Lazzarini në një letërkëmbim me Komisionin Europian ka thënë, se organizata e tij nuk ka qenë pjesëmarrëse në krimet terroristre të Hamasit, dhe të gjithë 13.000 punonjësit, që kanë qenë të punësuar në Rripin e Gazës do të rishikohen edhe njëherë. Një ekip ekspertësh po punon rekomadime të caktuara për të penguar në të ardhmen bashkëpunimin me Hamasin.
Lazzarini në një takim të ministrave të Jashtëm të BE më 12 shkurt ishte ankuar, se Izraeli nuk ka dhënë prova për përfshirjen e punonjësve të organizatës së tij në akte terroriste. Ministrat e Jashtëm të BE në këtë takim pranuan, se organizata e UNRWA-s është e rëndësishme për furnizimin bazik të popullsisë në Rripin e Gazës në gjendjen e tanishme të luftës. Sipas të dhënave të një zëdhënësi të OKB, edhe Kombet e Bashkuara presin për dokumente sekrete nga Izraeli në lidhje me akuzat.
BE rrit ndihmën humanitare
BE ndërkohë bëri të ditur, se ndihma humanitare për Gazën do të rritet në 68 milionë euro. Këto fonde të reja me preferencë do t’u jepen organizateve të tjera ndërkombëtare si Kryqi i Kuq apo Gjysmëhëna e Kuqe. Shuma e përgjithshme e ndihmave humanitare të BE për palestinezët, e cila mund të përdoret nga organizatat ndërkombëtare arrin në 250 milionë euro.
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, e arsyetoi rritjen e ndihmës duke theksuar se “ne mbështesim popullin palestinez dhe kudo në rajon. Palestinezë të pafajshëm nuk duhet të paguajnë për krimet e Hamasit. Ata janë të ekspozuar ndaj kushteve të tmerrshme, kërcënuese për jetën, sepse nuk ka qasje të mjaftueshme tek ushqimi dhe mjetet kryesore për jetën.”
Nuk ka qëndrim të njësuar në BE për konfliktin
Vlerësimi i situatës në Rripin e Gazës nuk është i njëjtë mes 27 vendeve anëtare. Gjermania dëshiron të sigurojë ndihmën humanitare për palestinezët, por është e rezervuar me kritikën ndaj Izraelit. Operacioni ushtarak kundër organizatës terroriste të Hamasit është i drejtë dhe i nevojshëm thuhet nga Berlini zyrtar. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock bëri të ditur të enjten rritjen e ndihmës humanitare për palestinezët. Ajo kërkon si OKB një “ndalim humanitare të luftimeve” për përmirësimin e gjendjes humanitare dhe furnizimeve në Gaza.
Vende të tjera anëtare të BE, si Spanja dhe Irlanda e kritikojnë Izraelin dhe kanë kërkuar me shkrim tek Komisioni Europian që të pezullohet përkohësisht partneriteti i BE me Izraelin. Kjo kërkesë po shqyrtohet nga Komisioni, tha zëdhënësi i Komisionit Europian në Bruksel, Eric Mamer.
Në lidhje me viktimat e shumta pas mbërritjes së kamionëve me ndihma në Rripin e Gazës, Komisioni Europian nuk donte të pozicionohej qartë. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen kërkoi një hetim ndërkombëtar të pavarur të rastit tragjik. “Ne nuk mund të vlerësojmë se çfarë ka ndodhur. Ne nuk i japim fajin dikujt. Në fillim duhet të gjejmë se çfarë ka ndodhur”, tha zëdhënësi i saj. Hamasi fajëson Izraelin, se ka qëlluar me qëllim tek masa e njerëzve. Izraeli i lidh rastet e vdekjeve me panikun masiv që shpërtheu pas shkarkimit të mallrave apo bastisjes së mundshme të kamionëve me ndihma./DW