Qeveria gjermane u shpreh e tronditur për vrasjen e civilëve palestinezë nga ushtria izraelite në pritje të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, por refuzoi ta dënojë në mënyrë eksplicite masakrën.

“Ka një lajm të frikshëm që na vjen (nga Gaza). Kërkojmë shumë qartë sqarimin e rrethanave. Mbrojtja e civilëve në një situatë kaq dramatike është prioriteti kryesor”, tha zëvendëszëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Kathrin Deschauer kur u pyet në një konferencë shtypi në Berlin, nëse Gjermania dënon vrasjet e fundit masive në Gaza.

“Ne kërkojmë një armëpushim humanitar në mënyrë që më shumë njerëz të mos vdesin në Gaza”, shtoi ajo.

Megjithatë, zëvendëszëdhënësi i kancelarisë Wolfgang Buechner tha se vrasja e civilëve palestinezë të enjten nuk ishte “masakër” sepse rrethanat mbeten të paqarta.

Këto komente erdhën pasi forcat izraelite qëlluan mbi një turmë palestinezësh herët të enjten teksa prisnin ndihma humanitare pranë qytetit të Gazës. Sulmi izraelit vrau të paktën 112 viktima dhe plagosi 760 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza./aa