Detaje të reja janë zbardhur nga atentati që mbeti në tentativë në qytetin e Elbasanit. Sipas News 24, 10 persona janë shoqëruar në komisariat. Ndërkaq, mësohet se dy persona që dyshohet të ishin pjesë e atentatit të dështuar janë arrestuar nga policia. Bëhet fjalë për Arben Spahiun, kunatin e Erion Alibejt dhe Arsen Preçi.

 

Ditën e djeshme në Elbasan u parandalua një ngjarje kriminale. Policia bllokoi një automjet brenda të cilit u gjetën  3 armë të llojit kallashnikov, dhjetëra fisheke, si dhe 2 shishe me lëndë ndjekëse, gati për atentat. Automjeti dyshohet se po përdorej nga dy persona, të cilët mendohet se ishin vrasës me pagesë.

 

Vendi ku u gjet automjeti, i cili po survejohej prej policisë ishte pranë pallatit ku jeton Erion Alibej, i cili po gjykohej si porositës i vrasjes së Emiliano Ramazanit dhe Regis Runajt.