Një ndërhyrje delikate në zemër tek një paciente 45-vjeçare e rioperuar pas 20 vitesh, u realizua me sukses nga ekipi i kardiokirugjisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale rastin e suksesshëm, ndërsa përgëzoi me mirënjohje Dr. Rezart Devenë, Dr.Dervish Hasën, Dr. Ketion Menkshin, anestezistët Dr. Marjeta Bilja dhe Dr. Anri Gongo, si edhe infermieret Marinela Guri dhe Eriselda Kiço.

 

“Në qendrën e dytë të rilindur publike të Kardiokirurgjisë, me sallat kardiokirurgjikale të pajisura me fjalën e fundit të teknologjisë dhe ekipin e talentuar e të përkushtuar të bluzave të bardha, po kryhen ndërhyrje nga më delikatet, me një gamë të gjerë dhe me rezultate shumë të mira”, u shpreh Rama.

 

Dr. Rezart Deveja, shef i klinikës së Kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, foli për vështirësinë e rastit të trajtuar.

 

“Sot rastet kirurgjikale janë vështirësuar shumë. Nëse marrim ato raste që kam operuar par 20 viteve nuk kanë asnjë krahasim me operacionet e sotme. Pjesa më e madhe e operacioneve tona janë të kombinuara, pra kryerja e dy ose 3 operacioneve njëherësh.

45-vjeçarja që ishte operuar në moshën 20 vjeçe nga zemra dhe sot erdhi me një kalçifikim shumë të shprehur të unazës së valvulës. Kishte hipertension, por pas operacionit pati një reagim shumë të mirë”, tha ai.

 

Dr, Deveja theksoi se, operacioni u krye në një sallë të rinovuar tërësisht.

 

“Salla është 100% e rinovuar, nuk i mungon asnjë aparaturë e nevojshme. Ekzistenca e një stafi me eksperiencë bashkë me kushtet teknike të domosdoshme janë siguri për mbarëvajtjen e punës dhe suksesin e operacionit”, tha ai.