Georgina Rodriguez, partnerja e Cristiano Ronaldo-s, ka thënë se futbollisti mund të tërhiqet nga futbolli.

Ajo u shfaq në Javën e Modës në Paris, me një fustan me të cilin nderonte partnerin dhe babain e fëmijëve të saj.

Në të njëjtin event, ajo konfirmoi se shpejt, Cristiano mund të tërhiqej nga futbolli. “Cristiano do të jetë dhe për një vit, më pas nuk ka më. Ndoshta edhe dy, s’e di”, u shpreh ajo, sipas The Sun.

Ronaldo, i cili është tanimë 39 vjeç, ka një kontratë me skuadrën Al-Nassr, e cila skadon në vitin 2025.

Futbollisti i famshëm ka thënë shpesh se e ka ëndërr të luajë deri në të 40-at dhe në fakt, te skuadra e Al-Nassr ka qenë në super formë, pasi në 29 ndeshje, ka shënuar plot 28 gola.

Megjithatë, ai do shumë që të luajë edhe në një tjetër Kupë Botërore, e cila do të zhvillohet në vitin 2026.

Cristiano e ka nisur karrierën në Sporting Lisbon, para se të shkonte te Manchester United në vitin 2003.

Pasi fitoi tre tituj Premier Ligues në Old Trafford, ai iu bashkua Real Madridit. Më pas, për tre vite u zhvendos në Juventus, për t’iu bashkuar sërish Manchester United.