Qeveria gjermane ka hedhur poshtë pretendimet e Kremlinit se Berlini po planifikon luftë me Rusinë, duke i quajtur ato “absurde” dhe “propagandë”.
Zv/zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Buchner, në një konferencë për media në Berlin tha se akuzat se Gjermania po përgatitet për një luftë është një “propagandë absurde dhe famëkeqe ruse”.
“Ne e dimë këtë retorikë dhe këtë nivel të ri të përshkallëzimit. Dua të them, Putini dhe të besuarit e tij po kërcënojnë hapur se do të përdorin armë atomike, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Qeveria federale nuk është e frikësuar nga këto gjëra”, tha Buchner.
Sot më herët, Kremlini tha se diskutimet e rrjedhura midis oficerëve të lartë ushtarak gjerman javën e kaluar sugjeruan se planet e Berlini për të sulmuar Rusinë po diskutohen “në mënyrë thelbësore dhe specifike”.
“Kjo (bisedë) në vetvete sugjeron se brenda Bundeswehr-it (forcat e armatosura) planet për të nisur sulme në territorin e Federatës Ruse po diskutohen në mënyrë thelbësore dhe specifike. Kjo nuk kërkon ndonjë interpretim ligjor. Gjithçka këtu është më se e dukshme”, u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Peskov aludoi se do të thirret ambasadori gjerman në Moskë, Alexander Lambsdorff, për t’i dorëzuar notë proteste Berlinit për bisedat e rrjedhura.
Mediat ruse gjithashtu raportuan se ambasadori Lambsdorff hyri në ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Moskë dhe më vonë u largua pa dhënë komente për gazetarët.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ende nuk është prononcuar për këtë çështje.
Ndërkohë, mediat lokale duke cituar ministrinë ruse raportuan se Rusia nuk e ka thirrur ambasadorin gjerman në Moskë në përgjigje të bisedave të rrjedhura.
“Ambasadori gjerman shkoi në një takim rutinë në ministrinë ruse dhe nuk u thirr”, raportuan mediat lokale, duke shtuar se takimi ishte planifikuar prej kohësh.
Dje, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, akuzoi Rusinë për kryerjen e një “sulmi hibrid” kundër vendit pasi diskutimet e oficerëve ushtarak u përgjuan dhe u zbuluan në media.
“Ky incident është qartësisht më shumë se thjesht përgjimi dhe publikimi i një diskutimi në forcat ajrore. Kjo është pjesë e një lufte informacioni që po bën presidenti rus Putin, nuk ka dyshim për këtë, është një sulm hibrid për dezinformim, ai synon të krijojë ndarje, duke minuar unitetin tonë”, u tha Pistorius gazetarëve, duke premtuar një hetim të plotë mbi incidentin, si dhe masa të reja për të luftuar përgjimin.
Qeveria gjermane është vënë nën presion të jashtëzakonshëm pasi diskutimet e supozuara konfidenciale të oficerëve të Forcave Ajrore Gjermane për luftën në Ukrainë u përgjuan dhe u zbuluan në mediat ruse.
Në audio regjistrimet e zbuluara, shefi i Forcave Ajrore Gjermane, gjeneral Ingo Gerhartz dhe oficerë të lartë ushtarak po diskutonin dërgimin e mundshëm të raketave me rreze të gjatë Taurus në Ukrainë dhe për përdorimin e tyre të mundshëm për të shkatërruar urën e Kërçit që lidh Krimenë me Rusinë.
Në regjistrimin 38-minutësh, oficerët ushtarakë dëgjohen duke diskutuar skenarë të ndryshëm në rast të një vendimi të qeverisë gjermane për dërgimin e raketave Taurus në Ukrainë, nëse ushtria ukrainase mund t’i përdor këto armë pa përfshirjen e forcave ajrore gjermane, si dhe për mbështetje teknike dhe inteligjente.
Diskutimet e tyre po ashtu përfshinin disa truke të mundshme, të tilla si ofrimi i fotografive satelitore për Ukrainën, të dhëna dhe inteligjencë përmes palëve të treta për të shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë në konflikt./aa