Organizuar nga Shoqata Kibernetike Shqiptare (ACA), ka nisur në Prishtinë edicioni i tetë i konferencës më të madhe për sigurinë kibernetike dhe privatësinë në Ballkanin Perëndimor "Cyber Zero".

Rreth 1 mijë pjesëmarrës pritet të marrin pjesë në konferencë, të cilëve do t'u drejtohen rreth 60 folës të shquar nga e gjithë bota, për sigurinë në internet.

I ftuar i konferencës ishte edhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili është nënshkrues i dokumentit për themelimin e Qendrës Rajonale për luftën kundër krimit kibernetik dhe sigurisë kibernetike, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe folës të tjerë.

Në fjalën e tij hyrëse, ministri Sveçla tha se konferenca të tilla janë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave në kohën kur teknologjia digjitale po avancon me shpejtësi të madhe, e cila paraqet një sfidë të madhe për sigurinë kombëtare, për stabilitetin e sektorit publiko-privat dhe për sigurinë e qytetarëve të Kosovës

Ai theksoi se Qeveria e Kosovës ka hartuar Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2023/2027 me qëllim të zvogëlimit të rreziqeve.

"Kjo hapësirë kibernetike ka shpërfaqur edhe rreziqet që vijnë nga individë dhe grupe kriminale dhe aktorë shtetërorë me qëllime jo të mira, që kanë për qëllim përfitimin financiar dhe destabilizime për të shtyrë një agjendë të caktuar politike. Vetëm dy muaj më parë, grupe të dyshimta hakerësh rusë sulmuan ofruesin e vetëm të shërbimeve dixhitale për Qeverinë e Suedisë", tha Sveçla.

Ai kujtoi gjithashtu sulmin e një grupi të dyshuar të sponsorizuar nga Irani ndaj Institutit të Statistikave në Shqipëri, duke dëmtuar të dhënat në kompjuterin dhe serverin e tyre. Ministri kosovar tha se këto sulme si dhe sulmet kibernetike të Rusisë ndaj Ukrainës, para dhe gjatë agresionit rus, tregojnë domosdoshmërinë e investimit në gatishmëri dhe mbrojtje kundër sulmeve të tilla.

Ish-kryeministri malazez Abazoviq kujtoi se vendi i tij përjetoi një sulm të madh kibernetik në gusht 2022, i cili vazhdoi në shtator të të njëjtit vit. Siç tha ai, në atë sulm u transferuan mijëra dokumente nga faqet e ndryshme qeveritare, shumica e agjencive u bllokuan dhe më pas theksoi se Mali i Zi kërkoi ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë në atë kohë.

"Në atë moment tre grupe ekspertësh qëndruan në Mal të Zi, ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Francës. Jam i bindur se atëherë, në shkallën nga 1 deri në 10, kemi pasur një siguri kibernetike prej një niveli 1 ose 2 ndërsa tani është në nivelin 4 ose 5 dhe ka shumë vend për përmirësim", tha Abazoviq.

Ai tha se kanë marrë edhe masa të tjera dhe se është krenar që Mali i Zi për herë të parë ka themeluar një institucion rajonal në bashkëpunim me presidentin francez dhe atë slloven, Qendrën Rajonale për Siguri Kibernetike.

Gjatë panelit të diskutimeve në konferencën e këtij viti, ndër të tjera do të diskutohen edhe mbrojtja e infrastrukturës kritike, privatësia dhe siguria, ndikimi i telefonave inteligjentë në dhunën në shkolla, dezinformatat e krijuara nga inteligjenca artificiale, zbulimi i kërcënimeve, mbrojtja e të dhënave, roli i ndërtimit të komuniteteve për sigurinë kibernetike, grupet e Telegramit dhe politika e TikTok.

Në konferencë do të flasë edhe përfaqësuesja e lartë e rrjetit më të përdorur TikTok, Jade Nester, e cila është drejtuese e politikës së të dhënave të jashtme për shqetësimet, shantazhet, kërcënimet dhe ngacmimet në TikTok./aa