Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello u shpreh sot se ndryshimet në ligjin “Për turizmin” promovojnë Shqipërinë si dhe mbështesin zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm gjithëvjetor.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve të shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për turizmin”, Bello u shpreh se ndryshimet janë nevojë e domosdoshmërisë për të reflektuar gjithë dinamikën pozitive të turizmit në Shqipëri.
“Jemi në vitin e nëntë që kur daton ligji për turizmin në vitin 2015 dhe ndryshimet në këtë ligj janë pjesë e natyrshme e evolucionit për të përmirësuar kuadrin ligjor të këtij sektori tashmë kaq prioritar për Shqipërinë. Ky projektligj vjen si produkt i një periudhe relativisht të gjatë të konsultimeve me përfaqësues të sektorit të turizmit, si nga sektori publik, edhe ai privat”, tha ajo.
Sipas Bellos, gjatë hartimit të projektligjit janë organizuar tryeza konsultimi me grupet e interesit ku janë diskutuar çështje të ndryshme që lidhen me lehtësimin e procedurave të ushtrimit të veprimtarisë së tyre dhe përmirësimit të infrastrukturës.
“Ky projektligj ka për qëllim të promovojë Shqipërinë si një destinacion turistik tërheqës autentik për vizitorët duke mbështetur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, tashmë kryefjala e politikës së zhvillimit të turizmit për Shqipërinë. Ndryshimet e propozuara kanë për qëllim të sigurojnë ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve përmes rritjes në vazhdimësi të cilësisë së ofrimit të shërbimeve në sektorin e turizmit, në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt dhe duke respektuar nevojat e komuniteteve pritës”, tha ajo.
Zv/ministrja nënvizoi se projektligji ka si qëllim reduktimin e informalitetit për të siguruar konkurrencë të ndershme dhe duke parashikuar rregullime ligjore për kategori të reja të strukturave akomoduese të cilat aktualisht operojnë në treg, por kanë qenë dhe janë të paregjistruara dhe të pastandardizuara.
“Bëhet fjalë për njësi të vogla si apartamente, dhoma, vila dhe të ngjashme me to që nuk kanë qenë objekt i ligjit aktual ndërkohë që ato janë struktura që ofrojnë akomodim për turistët. Parashikimi i tyre në ligjin e ri të turizmit do të reduktojë informalitetin, duke nxitur strukturat akomoduese aktuale dhe ato të reja të kategorizohen dhe të përftojnë në të njëjtën mënyrë si strukturat e tjera akomoduese lehtësirat fiskale që ofron legjislacioni”, tha ajo.
Bello theksoi se kjo do të rrisë edhe standardin e shërbimit, ashtu sikurse garanton edhe një organizim më të mirë në kuadër të mbrojtjes së konsumatorëve.
Sipas saj, “ligji i është referuar edhe modeleve më të mira të vendeve të rajonit që e kanë të zhvilluar turizmin, si Italia apo Mali i Zi”.
“Ndryshimet synojnë po ashtu edhe krijimin e një klime miqësore me biznesin pa cenuar standardet e ofrimit të shërbimit siç është në rastin e ndryshimit të vlefshmërisë së certifikatave të udhërrëfyesve turistikë. Zgjerohet roli promovues i Agjencisë së Turizmit, si institucioni kyç për promovimin e ngjarjeve kulturore dhe artistike, si dhe përcaktohen qartësisht kompetencat e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit”, tha ajo./ata