Shtegu i ecjes së liqenit të Bovillës pranë Tiranës ofron pamje panoramike të jashtëzakonshme, me ujin e pastër të liqenit që pasqyron qiellin dhe malet përreth tij.
Kohët e fundit, ky vend ka tërhequr një numër të madh alpinistësh dhe ekskursionistësh. Liqeni i Bovillës shërben edhe si burim uji për një numër të madh banorësh të Tiranës, gjë që i jep zonës një rëndësi të veçantë mjedisore.
“Përvoja është shumë e bukur dhe sfiduese. Është hera ime e parë në Bovillë dhe jam e mahnitur nga kjo panoramë. Kjo më tregon më mirë se pse duhet të jemi qytetarë të përgjegjshëm, të mbrojmë dhe promovojmë mjedisin, veçanërisht zona si kjo”, thotë Maria Zharanjaku, një nga dhjetë Ambasadorët e Rinj Evropianë që iu bashkua ecjes të së shtunës me ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ambasadoren franceze Catherine Suard dhe stafin e delegacionit të BE-së. Shëtitja ishte pjesë e Fushatës së Gjelbër të BE-së.
Përveç shijimit të natyrës (dhe mbledhjes së mbeturinave të lëna nga vizitorë të tjerë përgjatë shtegut të ecjes), u zhvillua një diskutim i hapur midis ambasadorit të BE-së, ambasadores franceze dhe ambasadorëve të rinj.
Diskutimi u moderua nga Xhulia Muçaj, eksperte e re ligjore dhe Ambasadore e Re Evropiane.
“Mbrojtja e mjedisit, mbrojtja e biodiversitetit apo ndryshimet klimatike janë çështje të mëdha dhe prioritete të mëdha për Delegacionin e BE-së në Shqipëri, por edhe për popullin shqiptar, sepse ju keni një peizazh kaq të bukur, një natyrë kaq të mrekullueshme. Është një trashëgimi e jashtëzakonshme që duhet ruajtur. Sot ishte një mundësi e shkëlqyer për të takuar ambasadorët e rinj, një grup njerëzish shumë të motivuar e të përkushtuar që duan të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë. Ne duam të punojmë më shumë me ju për t’u siguruar që të jeni ju ata që flisni për BE-në”, tha ambasadori Gonzato.
Ambasadorja franceze në Tiranë Catherine Suard jo vetëm që shprehu entuziazmin e saj për zbulimin e një vendi të mrekullueshëm si Bovilla, por edhe për takimin me ambasadorët e rinj.
“Munda të takohem me këta ambasadorë të rinj të BE-së në Shqipëri, gjë që na jep mundësinë të jemi më pranë tyre, të përpiqemi të mbështesim aktivizmin dhe optimizmin e tyre, si dhe mënyrën e të menduarit për nesër, sepse Shqipëria do të anëtarësohet në BE dhe si miq ne duam një BE të fortë dhe një Shqipëri të fortë. Dhe më të fortë do të thotë përfshirje e të rinjve”, tha ambasadorja Suard.
Për Xhulia Muçajn, kontributi për një vend më të mirë përmes advokimit për ndryshime shoqërore dhe politike, si dhe inkurajimi i brezit të ri për të qenë pjesë e këtij ndryshimi, është arsyeja pse është pjesë e rrjetit të Ambasadorëve të Rinj Evropianë.
“Duke qenë se ëndrra evropiane është e rrënjosur fort në imagjinatën time, kam besuar gjithmonë se fati i vetëm i Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Kur programi Ambasadorët e Rinj Evropian u prezantua për herë të parë në Ballkanin Perëndimor, e konsiderova një mundësi për të mësuar më shumë për Evropën dhe tani jam krenare që jam pjesë e një rrjeti me aktivistë të rinj të talentuar, të cilët janë të vendosur të sjellin një ndikim të vërtetë në shoqëritë tona”, shton ajo.
Xhulia, si shumë të tjerë, e ka shqyrtuar idenë e largimit nga vendi, por mendon se nëse vendimet vendore përputhen me standardet evropiane, kjo do ta bënte atë dhe bashkëmoshatarët e saj optimistë për të qëndruar dhe për ta ndërtuar jetën në Shqipëri.
Fushata e Gjelbër e BE-së e nisur nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, përfshin një sërë aktivitetesh që promovojnë ndërgjegjësimin dhe sjelljen individuale drejt një të ardhmeje të gjelbër evropiane, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të përparojë drejt integrimit në BE. Menaxhimi i ujit, ekonomia qarkulluese, biodiversiteti, energjia e gjelbër, cilësia e ajrit dhe ndryshimet klimatike janë pjesë e fushatës që synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë, politikëbërësve, shoqërisë civile, bizneseve dhe aktorëve të tjerë rreth çështjeve mjedisore që prekin vendin.
Ambasadorët e Rinj Evropianë është një nismë jopolitike dhe aktiviste e themeluar në vitin 2020 si pjesë e Programit Rajonal të Komunikimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Me prejardhje të ndryshme, ata ndajnë një vizion të përbashkët, të bashkuar në diversitet, duke promovuar aktivizmin brenda komuniteteve të tyre vendore, duke ndjekur projekte kreative dhe gjithmonë të nxitur nga ideja se aktivizmi te të rinjtë është forca më e fuqishme e ndryshimit shoqëror./ata