Deputetja Evis Kushi, zhvilloi një bashkëbisedim me studentët praktikantë në Kuvendin e Shqipërisë, në lidhje me projektligjin e propozuar prej saj, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15/2017, datë 16.2.2017 “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”

Deputetja dhe njëkohësisht zëvendëskryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Evis Kushi, organizoi ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit një takim konsultues me studentët e Klinikës së Ligjit pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, të cilët po zhvillojnë praktikën mësimore në Kuvendin e Shqipërisë, për të diskutuar në lidhje me nismën ligjore të propozuar prej saj, më konkretisht: Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15/2017, datë 16.2.2017 “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”.

Kushi u shpreh se, shkollat profesionale duhet të zhvillohen më tej dhe të jenë në qendër të vëmendjes për t’iu përshtatur kërkesave të larta që ka tregu i punës për profesionistë. Gjithashtu Kushi nënvizoi se është shumë i nevojshëm bashkëpunimi i arsimit profesional me bizneset.

“Sipërmarrjet kanë nevojë për profesionistë. Biznesi dhe arsimi profesional mund të ndihmojnë shumë mirë njëri-tjetrin. Ndryshimi tjetër ka të bëjë me sistemin 4-vjeçar të arsimit profesional. Ata studentë të cilët nuk duan të vazhdojnë një shkollë të lartë, arsimin profesional mund ta bëjë 3 vite, dhe marrin një certifikatë të maturës ata që synojnë menjëherë tregun e punës”, u shpreh Kushi.

Studentët bashkëbiseduan me Kushin si dhe ngritën disa pyetje të detajuara për të kuptuar në mënyrë më të hollësishme ndryshimet ligjore të propozuara prej saj në lidhje me arsimin profesional./ata