Mundësimi i fluturimeve transatlantike, përveç infrastrukturës aeroportuale për të cilën po punohet, kërkon koordinim midis Autoritetit të Aviacionit Civil të Shqipërisë, Administratës Federale të Aviacionit (FAA) dhe Administratës së Sigurisë së Transportit (TSA).

Një ekip nga Administrata e Sigurisë së Transportit (TSA) i cili ka mbërritur në Shqipëri për të certifikuar nga ana e sigurisë aeroportin e Rinasit për linja të tilla, u prit sot nga kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj.

Pak ditë më parë kreu i AAC-së bëri të ditur se parashikohet që në 3-mujorin e parë të vitit 2025 të nisin fluturimet Tiranë – Nju-Jork.

Ndërkohë gjatë këtij viti, aeroporti ka pritshmëri se numri i pasagjerëve do të arrijë në 8.4 milionë.

Sipas AAC-së, në takim u diskutua edhe për projektin “Balkan Spirit”, i financuar nga Homeland Security dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka për qëllim rritjen e kapaciteteve në fushën e sigurisë në aviacion./ata