VHamasi deklaroi se do të vazhdojë negociatat për të arritur marrëveshje që do të sigurojë një ndalesë gjithëpërfshirëse të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës.

Në deklaratën me shkrim nga Hamasi thuhet se "Hamasi tregoi fleksibilitetin e nevojshëm për të arritur marrëveshje që do të siguronte ndërprerje gjithëpërfshirëse të sulmeve kundër popullit tonë. Megjithatë, shteti pushtues (Izraeli) po shmang kushtet e përcaktuara në marrëveshje për çështje të tilla si armëpushimi i përhershëm, kthimi i të zhvendosurve, tërheqja nga Rripi i Gazës dhe plotësimi i nevojave të popullit tonë".

Në deklaratë theksohet se Hamasi do të vazhdojë negociatat përmes ndërmjetësve. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha dje se një marrëveshje e mundshme armëpushimi në Rripin e Gazës varet nga Hamasi.

Mediat izraelite: Pritet reagimi nga Hamasi

Televizioni izraelit "Channel 13" njoftoi dje, bazuar në një zyrtar izraelit, se oferta e qeverisë së Tel Avivit lidhur me armëpushimin dhe shkëmbimin e të burgosurve në Gaza u përcoll dhe pritej përgjigje nga Hamasi.

Në përgjigje të lajmit se bisedimet në Kajro "dështuan", zyrtari izraelit ka thënë se "Nuk ka ndryshim të situatës" dhe se procesi po vazhdonte.

Negociatat mes palëve

Një takim mes qeverisë së Tel Avivit dhe Hamasit u mbajt më 13 shkurt në Kajro të Egjiptit, në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve.

Më vonë këto negociata vazhduan në Paris të Francës. Negociatat në Parisit përfunduan më 24 shkurt me pjesëmarrjen e delegacionit izraelit të kryesuar nga drejtori i Mossad-it, David Barnea, drejtori i CIA-s William (Bill) Burns, kryeministri i Katarit Mohammed bin Abdurrahman Al Thani, shefi i inteligjencës egjiptiane Abbas Kemal dhe delegacioni i Hamasit.

Mediat egjiptiane raportuan për herë të fundit se negociatat kishin nisur në Kajro më 3 mars, me pjesëmarrjen e Egjiptit, Katarit, Hamasit dhe SHBA-së./aa