Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka thirrur ambasadoren e SHBA-së në Moskë, Lynne Tracy, për mbështetjen e tre organizatave joqeveritare të njohura si “të padëshirueshme” në Rusi.
Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, ministria ruse tha se kërkoi nga ambasadorja Tracy të ndalojë ofrimin e çdo ndihme për “Këshillat Amerikanë për Arsimin Ndërkombëtar”, “Perspektivat Kulturore” dhe “Institutin e Arsimit Ndërkombëtar”.
Ministria ruse po ashtu pretendon se me mbështetjen e ambasadës amerikane, këto organizata po zbatojnë “programe dhe projekte anti-ruse” që synojnë rekrutimin e “agjentëve të ndikimit nën maskën e shkëmbimeve arsimore dhe kulturore”.
Ministria paralajmëroi se “përpjekjet për të ndërhyrë në punët e brendshme ruse do të shtypen ashpër dhe me vendosmëri”, përfshirë dëbimin e punonjësve të Ambasadës së SHBA-së të përfshirë në veprime të tilla./aa