Suedia u bë zyrtarisht anëtari i 32-të i NATO-s pas ceremonisë së pranimit të protokollit të anëtarësimit të organizuar sot në SHBA.

Anëtarësimi erdhi pothuajse dy vjet pasi Suedia aplikoi për t’u bashkuar me aleancën ushtarake pas fillimit të “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022.

“Gjërat e mira vijnë për ata që presin”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së Antony Blinken në Departamentin e Shtetit pas marrjes së instrumenteve të pranimit. Atij iu bashkuan kryeministri suedez Ulf Kristersson dhe ministri i jashtëm suedez Tobias Billstrom.

“Ky është një moment historik për Suedinë. Kjo është historike për aleancën tonë. Është historike për marrëdhëniet transatlantike”, tha Blinken.

“Aleanca jonë e NATO-s, apo aleanca mbrojtëse, tani është më e fortë dhe më e madhe se sa ka qenë ndonjëherë”, shtoi ai.

Ai tha se “nuk ka gjithashtu asnjë shembull më të qartë se sot të debaklit strategjik” të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ndërkaq, Kristersson tha se Suedia po lë pas 200 vjet neutralitet dhe mosangazhim ushtarak dhe e quajti ngritjen e vendit të tij një “hap të madh, por në të njëjtën kohë një hap shumë të natyrshëm”.

“Situata e sigurisë në rajonin tonë nuk ka qenë kaq serioze që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai. “Rusia do të mbetet një kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike për të ardhmen e parashikueshme”, theksoi kryeministri suedez.

“Në këtë këndvështrim Suedia aplikoi për t’u bashkuar me NATO-n”, shtoi ai./aa