Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla mori pjesë në Samitin Botëror të Grave Kryeparlamentare, organizuar nga Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yawl Braun-Pivet, në 6-7 mars, në Paris. Në samit mori pjesë edhe Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola.
Samiti iu kushtua çështjeve të rëndësishme që lidhen me rolin e edukimit në ngushtimin e pabarazive të zhvillimit dhe luftën kundër dhunës ndaj grave si edhe nxitjen e pjesëmarrjes së grave në zhvillimin politik dhe shoqëror.
Gjatë samitit, gratë kryeparlamentare sollën përvojat e parlamenteve të vendeve të tyre mbi fuqizimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe të diplomacisë parlamentare feministe aktive për mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të grave. Parlamentet duhet të jenë në vijën e parë të mbrojtjes së të drejtave të grave, nëpërmjet miratimit dhe kontrollit të zbatimit të legjislacionit mbi barazinë ekonomike, sociale dhe gjinore, si vlerë demokratike në shoqërinë bashkëkohore.
Diskutimet u përqëndruan edhe në aspekte konkrete të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, progresin në arsim, mbrojtjen e shëndetit, pjesëmarrjen ekonomike, përballimin e sfidave të rreziqeve kibernetike në shtimin e dhunës ndaj grave e vajzave, dekurajimin e përjashtimit dhe nxitjen e përfshirjes sociale, mbrojtjen e grave nga luftrat e konfliktet etj.
Gratë kryeparlamentare u pritën në një takim të veçantë edhe nga Presidenti i Republikës Franceze Emmanuel Macron, i cili nënvizoi se barazia nuk është një çështje gjinore, por një çështje universale për qytetërimin e sotëm.
Samiti themeloi Rrjetin e Grave Kryeparlamentare mbi të Drejtat e Grave dhe Barazinë Gjinore.
Samiti miratoi edhe një deklaratë në të cilën bëhet thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes parlamenteve kombëtare, mbështetjen për ratifikimin e instrumentave ligjore bashkëkohore, për rrjetet, organizimet, nismat dhe veprimet parlamentare për të drejtat e grave, prioritarizimin e barazisë sociale dhe barazisë gjinore në agjendat politike e parlamentare, rritjen e përfaqësimit parlamentar të grave dhe të kulturës së barazisë në jetën parlamentare./ata