Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla uroi gratë e vajzat me rastin e 8 Marsit.

“Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, uroj nga zemra të gjitha nënat, motrat, bashkëshortet dhe vajzat shqiptare.

Këtë vit, tema e përzgjedhur për të kremtuar këtë ditë domethënëse është “Të investojmë te gratë, për të përshpejtuar progresin”, u shpreh Nikolla.

“Asnjë faktor a investim tjetër, as njerëzor dhe as teknologjik, nuk mund ta përshpejtojë zhvillimin shoqëror më shumë sesa investimi te gratë dhe vajzat”, theksoi ajo.

“Këtë prag 8 Marsi, bashkë me gratë kryeparlamentare nga të pesë kontinentet, u mblodhëm në Paris në Samitin Botëror, themeluam Rrjetin e Grave Kryeparlamentare dhe miratuam Deklaratën për Barazinë dhe të Drejtat e Grave, në të cilën u bëmë thirrje parlamenteve të të gjitha vendeve të vendosin të drejtat e grave dhe barazinë gjinore në krye të agjendave parlamentare”, përfundoi Nikolla./ata