Për 12 net, përveç bukurisë mahnitëse dhe aromës së detit së Jonit, vizitorët shijuan tingujt e muzikës së virtuozit Olen Çezari, por edhe artistëve të tjerë bashkëkohorë shqiptare dhe të huaj në festivalin e Porto Palermos. I vendosur në kalanë historike dhe piktoreske përgjatë rivierës shqiptare, festivali i artit dhe kulturës solli një ndërthurje harmonike zërash dhe performancash falë mbështetjes së One Albania.
Në kuadër të partneritetit strategjik me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, në nismën “Albania All Senses”, One Albania i qëndroi pranë këtij eventi kulturor, që është kthyer në një ndalesë të përvitshme të artdashësve. Si sponsori kryesor i edicionit të katërt, lideri i telekomunikacionit mbështeti festivalin që ndërthur traditën, historinë, detin dhe muzikën me ndërgjegjësimin për një turizëm të përgjegjshëm. Eventi nisi rrugëtimin e tij përmes pastrimit të detit dhe përmirësimit të hapësirës përreth kalasë, duke nxitur angazhimin mbi ruajtjen e mjedisit.
Në Porto Palermo interpretuan emrat më në zë të muzikës shqiptare si: Inva Mula, Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, Dren Abazi, Elina Duni, por edhe nga arena ndërkombëtare si Manuela Villa, Lavinia Mancusi etj. Njëjtë si edhe në edicionet e kaluara, drejtuesi i “Porto Palermo Festival”, violinisti i njohur, Olen Cesari interpretoi për të pranishmit në natën e parafundit.
Teksa festivali uli siparin për këtë vit, One Albania vijon të mbetet e përkushtuar për të zhvilluar turizmin dhe iniciativat artistike e kulturore plot vlerë./Tema