Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zgjodhi të festonte me gratë oficere të sigurisë në institucionet arsimore, që janë “syri” i prindërve dhe mësuesve në shkollat tona dhe që çdo ditë janë në krye të detyrës që fëmijët të ndjehen të sigurt.
Takimi u zhvillua në mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe qëllimi i këtij takimi, përveç urimit për 8 Mars për të gjitha gratë dhe vajzat, ishte dhe për të nxjerrë në pah kontributin e këtyre grave në fushën e sigurisë në shkolla.
“Fuqizimi i vajzave dhe grave është një prej objektivave, të cilën ne duhet ta kemi parasysh çdo ditë të vitit. Sot është edhe një ditë ku duhet të reflektojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë. Unë jam krenare për të gjitha zonjat dhe gratë që punojnë në sektorin e arsimit: nga mësueset, psikologët, punonjësit socialë dhe ju punonjëset e sigurisë në shkolla.
Jam krenare për punën që bëni, kontributin që jepni. Jam krenarë për të gjithë motivimin që u jepni nxënësve tanë dhe mbi të gjitha për sigurinë që ju ofroni brenda dhe jashtë mureve të shkollës”, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Gratë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pioniere në fushën e edukimit dhe sigurisë.
Aktualisht në shkollat shqiptare ka 138 oficere sigurie gra, që përbëjnë 60% të forcave të sigurisë në institucionet arsimore.
Statistikat e fundit tregojnë se në universitetet publike dhe jopublike 68,024 studente janë vajza, kundrejt 48,676 djemve, duke dëshmuar dominancën e tyre në fushën e arsimit. Po ashtu, gratë përbëjnë numrin më të lartë të arsimtarëve në arsimin parauniversitar dhe janë të pranishme në numër të lartë si psikologe, punonjëse sociale.
“Sot në këtë ditë doja që ta vija në dukje, punën, angazhimin tuaj dhe prezencën tuaj në strukturat tona të arsimit, një prezencë që unë besoj se duhet shtuar duke rritur dhe numrin e punonjësve të sigurisë. Më bëhet qejfi që 60% e punonjësve tanë të sigurisë janë zonja. Jam e bindur që së bashku mund ta fuqizojmë më shumë rolin tuaj dhe në tërësi rolin e grave por mbi të gjitha kujdesin për fëmijët tanë në strukturat arsimore. Gëzuar 8 Marsin”, ishte urimi i ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu për të gjitha vajzat dhe gratë që janë pjesë e sistemit arsimor në vend, por edhe për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare./ata