Pjesë e investimeve transformuese në Berat janë edhe projektet moderne për krijimin e  hapësirave rekreative për fëmijë e të rritur, mes të cilave dhe parku “Dua të luaj”, vepër e Programit të ri Kombëtar, që po shtrihet në qytetet e vendit.

Kryeministri Edi Rama e vijoi vizitën e tij në Berat, në kantierin, ku po merr jetë ky projekt.

“Kjo është një nga punët më me vlerë në fakt edhe për komunitetin këtu në rajonin numër 2 të  Beratit. Ky ka qenë ish stadiumi i vjetër i qytetit, që  në fëmijëri shumica prej nesh e ka shfrytëzuar. Projekti ka pistë vrapimi, pastaj ka fushë kalçeto, fushë basketbolli, fushë tenisi, fushë volejbolli, ka edhe kënd lojërash. Besoj nga prilli apo maji e përfundojnë”, u shpreh kryetari i bashkisë Ervin Demo, ndërsa shtoi se një vëmendje e veçantë i është kushtuar gjelbërimit.

“Do të kemi 350 pemë brenda në park dhe ky do të jetë një park i gjelbëruar në mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe një gjë tjetër shumë e rëndësishme, Këto fushat i shërbejnë edhe shkollave të qytetit, sepse përballë atje, është shkolla e “Bab Dudë Karbunara”, që i ka të gjithë fushat në krahun tjetër të rrugës, patjetër që ka edhe palestër të brendshme, po ashtu kemi edhe shkollën “1 Maji”, që gjatë ditës mund të zhvillojë aktivitet ose orët e fizkulturës. Cilido prej sporteve i ka fushat në dispozicion. Multifunksionaliteti i vet është shumëdimensional dhe është një nga projektet e shumëpritura për banorët e zonës”, shpjegoi Demo.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama inspektoi sot edhe punimet për rindërtimin nga e para të shkollës  “Babë Dudë Karbunara”, me një sipërfaqe prej 7500 m2 që do të ketë 26 klasa dhe 11 laboratorë, si dhe palestër me kushte bashkëkohore.

Përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturave shkollore, përmes investimeve transformuese, vijon të mbetet një ndër prioritet kryesore të qeverisë për arsimin.

Shkolla e mesme e përgjithshme “Babë Dudë Karbunara” është një nga 3 shkollat e mesme të përgjithshme të Bashkisë Berat, e cila po rikonstruktohet nga themelet për të ofruar kushte optimale për 490 nxënës dhe një staf pedagogjik prej 37 mësuesish.

“Babë Dudë Karbunara” është simbol i qytetit. Shkollë e jashtëzakonshme. Projekti në fakt është shumë ambicioz. Jemi në fazën përfundimtare tani. Në shtator të gjithë të rinjtë e qytetit kanë një gjimnaz të ri të shumëpritur, i cili është edhe vlerë arkitektonike për qytetin, por është edhe godina më e mirë publike që ne kemi në të gjithë qarkun.  Kemi ruajtur pak karakteristikat e qytetit, me ngjyrat me dritaret. Kemi bërë një tarrace të gjelbëruar. Shkolla ka në sensin e funksionalitetit, bibliotekë, ka palestër, ka librari dhe një auditor, të cilat janë konceptuar si shkollë qendër komunitare. Kanë bërë një punë shumë të admirueshme në fakt, edhe brenda afateve”, shpjegoi kryebashkiaku Demo.

Bashkë me investimet në vijim, për vitet 2024-2025 hapen kantiere të reja për ndërtimin dhe rehabilitimin e mbi 100 shkollave, nëpërmjet buxhetit të Ministrisë së Arsimit, pushtetit vendor dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë./ata