Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që më datë 21 prill 2024 të mbahet votimi për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Me tetë vota për dhe dy abstenime, anëtarët e KQZ-së miratuan rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër shkarkimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.
Ky rekomandim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pas verifikimit të nënshkrimeve të peticionit të dorëzuara në KQZ nga kuvendet komunale të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Sipas Sekretariatit, në këto katër komuna është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve të kërkuara nga numri i përgjithshëm i votuesve, në mënyrë që të votohet për shkarkimin e udhëheqësve komunalë.
Sipas udhëzimit administrativ që mundëson shkarkimin e kryetarëve të komunave, të miratuar në shtator të vitit 2023, nevojiten 50 për qind e votave të qytetarëve me të drejtë vote në mënyrë që ky votim të jetë i vlefshëm.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në këto katër komuna.
Mbledhja e nënshkrimeve në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe u bë gjatë janarin të këtij viti./aa