Bashkimi Evropian dhe Gjermania thanë të mërkurën se do t’i japin Shqipërisë së bashku 81.09 milionë euro (rreth 88 milionë dollarë) për të kthyer në elektrike tre linjat kryesore të autobusëve në kryeqytetin Tiranë.
DITA citon Agjensinë e lajmeve Associated Press që raporton se kjo është pjesë e ndihmës së vendit ballkanik për të përmbushur kërkesat për t’u bashkuar me bllokun 27-vendësh.
Blloku do t’i japë projektit Green Transport Tirana 31.09 milionë euro (34 milionë dollarë) si grant ndërsa Banka Gjermane e Zhvillimit KFW do t’i japë 50 milionë euro (54 milionë dollarë). Bashkia e Tiranës do të investojë gjithashtu 29.17 milionë euro (31.6 milionë dollarë).
Ky do të jetë sistemi i parë elektrik Bus Rapid Transport, i njohur si “e-BRT”, në Shqipëri.
Projekti, që pritet të nisë këtë vit, synon të përmirësojë ndjeshëm shërbimin e transportit publik dhe të reduktojë emetimet e dioksidit të karbonit, si dhe ndotësit e ajrit.
Popullsia postkomuniste e Tiranës është rritur më shumë se trefish: nga 300,000 në 1990 në mbi një milion. Linjat e saj aktuale të transportit operojnë me autobusë që lëvizin në rrugët e tejmbushura të qytetit, me pak korsi të dedikuara për ta.
Vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – janë në faza të ndryshme në aplikimet e tyre për anëtarësim në BE, gjë që ka frustruar banorët për shkak të ritmit të ngadaltë.
Pushtimi rus i Ukrainës, i cili filloi në shkurt 2022, i ka shtyrë liderët evropianë të shtyjnë të gjashtë që t’i bashkohen bllokut – shkruan AP.