Viti 2025 do të jetë viti i matematikës në Kosovë, vit në cilin do të zhvillohet Olimpiada Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2025.

Lajmi bëhet me dije nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rrjetet sociale.

Kjo do të jetë logoja zyrtare e Olimpiadës Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2025, e cila do të organizohet në Kosovë prej datës 11 prill 2025 deri më datën 17 prill 2025.

EGMO është gara më prestigjioze ndërkombëtare e matematikës për vajza që ka për qëllim t’i inkurajojë vajzat që të merren me matematikën dhe zbatimin e saj. Gara zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të Evropës me pjesëmarrje të rreth 60 shteteve, duke i përfshirë edhe shtetet joevropiane që marrin pjesë si mysafirë.

Me këtë rast Kurti falënderon komunitetin e matematikanëve shqiptarë, Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës dhe të gjitha organizatat e tjera për angazhimin e tyre të pandërprerë në promovimin dhe avancimin e matematikës në Kosovë. Puna e tyre ka ndikuar thellësisht në avancimin e matematikës në Kosovë, duke ofruar mundësi dhe mbështetje profesionale të rinjve tanë për t’i shfaqur talentet e tyre matematikore në organizimet më prestigjioze ndërkombëtare.

 

EGMO 2025 do të organizohet me mbështetjen e qeverisë së Kosovës, komunitetit të matematikanëve shqiptarë, Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës dhe organizatave e donatorëve të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë./ata