Zbulime të mahnitshme arkeologjike janë bërë në kantierin e shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi” në Durrës. Këto zbulime arkeologjike vijnë si pjesë e programit EU4Schools.

 

Arkeologët zbuluan struktura dhe artefakte të lashta, duke i shtuar njohuri të vlefshme historisë së qytetit.

 

Misioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në një postim në rrjetet sociale, thekson se, këto gjetje shërbejnë si rikujtesë e rëndësisë së ruajtjes së trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

 

Programi EU4Schools po rindërton shkollat dhe kopshtet në zonat e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019.

 

Gjatë kësaj pune, në Durrës, ekspertët kanë hasur dhe në befasi të tilla, ku e tashmja takon lashtësinë.

 

Financuar nga BE-ja, me një buxhet prej €75 milion, dhe zbatuar nga UNDP, programi EU4Schools synon të përmirësojë cilësinë e arsimit për rreth 24,500 fëmijë dhe nxënës shqiptarë duke rindërtuar ose riparuar 63 objekte arsimore.