Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga momentet e fundit të punës për ndërtimin e Urës së re të Kukësit.
Gjatë inspektimit të kësaj vepre kryeministri Rama, shoqërohej nga drejtuesi politik i qarkut Kukës Pandeli Majko dhe grupi i teknikëve dhe inxhinierëve që po punojnë aty.
“Nuk është për t’u mburrur, por është i rrallë që nuk është bërë asnjë herë në Europë një gjë e tillë. Strukturat kanë ardhur nga Milano është i gjithi është hekur Corten”, u shpreh njëri nga teknikët e veprës, teksa sqaroi lidhur me ngjyrën e materialit që të krijon përshtypjen e ndryshkut. “Por jo, jo, kështu rri ky”, tha ai.
Ura e Madhe e Kukësit bashkon brigjet e Drinit në Rrugën e Kombit. Ura e re e Kukësit ka dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa në të gjithë gjatësinë e saj është konstruksion metalik, me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme. Ajo po zëvendëson urën e vjetër ekzistuese që ka më shumë se 45 vite që mban “mbi supe” me mijëra mjete përgjatë viteve.
Investimi prej 30 milionë dollarësh e bën atë një ngjarje ekonomike për zonën dhe lidhjen e Shqipërisë me Kosovën.
Për shkak të punimeve për vendosjen me rrëshqitje të urës së re mbi bazamentet e saj, qarkullimi është devijuar në aksin Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit, dhe konkretisht, devijimi i lëvizjes po bëhet tek Ura Drinit të Zi – Rruga hyrëse në qytetin e Kukësit dalja për Kosovë në nyjën e Shtiqnit. Ndërsa për lëvizjen nga Morina në Milot, devijimi i lëvizjes po bëhet tek rampa dalëse e mbikalimit tek nyja e re e aeroportit dhe dalja në urën e Drinit të Zi.
Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin është projektuar nga inxhinieri italian Giorgio Rizzo. Ajo ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra dhe peshon rreth 5000 tonë. Do të ketë 4 korsi, në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës./ata