Aronia një bimë mjekësore fryti i të cilës konsiderohet me vlera të veçanta kurative po kultivohet edhe në Shqipëri.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvilimit Rural Anila Denaj ndau në rrjete sociale rastin e Mironit në Maliq të Korçës, që prej disa vitesh ka zgjedhur të kultivojë një frut të veçantë për zonën, të quajtur aronia.

“Në rreth 1 hektarë tokë ai kultivon këtë kulturë bujqësore që njihet si bimë frutore kurative i disa problemeve shëndetësore”, tha Denaj.

Ai tregon se si e njohu këtë frutë dhe kushtet në të cilat ajo rritet nga temperatura -40 gradë deri në +40 gradë.

“Qëllimi i tij është të krijojë linjën moderne të paketim, ambalazhimit për të bërë të mundur më pas të eksportojë drejt tregjeve elitare ndërkombëtare”,tha Denaj.

Aronia është një frut ngjyrë vjollcë, i vogël, por shumë i fuqishëm. Kjo kokërr e vogël ka një shije të veçantë që të rrudh qiellzën dhe që të kujton thartësinë e rrushit të verës.

Në ndryshim me frutat e tjerë, kokrrat e Aronias mund të blihen dhe të hahen të freskëta, por edhe në formën e lëngut dhe të ekstraktit.

Bimët e Aronias kanë filluar të mbillen edhe në Shqipëri, pasi kërkesa është në rritje dhe vetë Aronia mbetet një lloj fruti, i cili nuk është kultivuar më parë dhe as nuk gjendet gjerësisht në formë të egër./ata