Ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha sot se qeveria ka miratuar ndryshimet ligjore në sistemin e adresave në Shqipëri.

Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, Balla tha se, këto ndryshime konsistojnë në krijimin e një regjistri unik të adresave në Shqipëri, ku çdo banesë, do të ketë numrin unik të tij.

“Një prej vendimeve të Këshillit të Ministrave të sotëm lidhen me ndryshimin e ligjit të sistemin e adresave në Shqipëri. Bëhet fjalë për krijimin më në fund të një regjistri unik të adresave në Shqipëri. Pas miratimit të këtij ligji dhe akteve të tjera nënligjore që do të shoqërojnë këtë paketë, do të kemi një regjistër unik, tek i cili do të referohen të gjitha institucionet. Nëse deri tani kemi patur regjistra adresash në institucione të ndryshme, një te kadastra, një te Bashkia, një tjetër te OSHEE…etj një tek një institucion tjetër, tashmë do të kemi një regjistër adresash tek Ministria e Brendshme”, tha Balla.

“Po ashtu, çdo banesë, çdo biznes, çdo ndërtesë, do të ketë kodin unik të pareplikueshëm në bashki të ndryshme. Pra, të gjitha ndërtesat në Shqipëri do të kenë kodin e tyre unik. Kjo na mundëson t’i japim zgjidhje përfundimtare problematikave që lidhen së pari me ofrimet e shërbimeve të duhura tek qytetarët”, theksoi Balla.

“E dyta ka të bëjë me lehtësimin e mbërritjes në adresë jo vetëm të shërbimit postarë, por mbi të gjitha edhe sa i përket turistëve. Pra, është vënë re një prej problematikave të të viteve të fudit të shfaqura nga turistët që kanë vizituar Shqipërinë, që janë të mirëseardhur dhe këtë vit presim një tjetër vit me shifra historike, ne mundësojmë që përmes këtij kodi unik të banesës të hotelit, të një apartamenti që jepet në “Booking”, të jetë lehtësisht i arritshëm”, theksoi Balla.

Ai kujtoi dhe adresën në internet të ofruar nga Ministria e Brendshme. “Dhe të do të ftoja të gjithë qytetarët që ta frekuentojnë që tani edhe pse do kemi një interface të re në javën e muajt në vijim, në “Adresarin.mb.gov.al”,m pasi është një mundësi e duhur për çdo qytetarë që ka një problematikë për të gjetur një adresë të caktuarnë të gjithë territorin e Shqipërisë, ta gjejë adresën.”, vijoi Balla.

Ai tha se Shqipëria synon që Shqipëria të jetë kampione në Ballkan edhe sa i takon sistemit modern të adresave.

“Nëse para disa vitesh ishim një prej vendeve në Ballkan me problematikën më të madhe të këtij sistemi, edhe në këtë sektorë duam ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit, për sa i takon një sistemi modern adresash. Çdo familje shqiptare, apartamentin apo adresën e vetë do ta ketë me kod unik, që të drejton menjëherë qoftë fillimisht me “Google” dhe më pas me të gjitha platformat botërore për të aksesuar menjëherë kodin unik dhe përmes këtij kodi unik për t’u drejtuar në banesën apo ndërtesën, kudo që një qytetarë shqiptarë apo i huaj kërkon të shkojë përmes makinës apo mjeteve të tjera të transportit”, tha Balla./ata