Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, vijoi sot takimet me organizatat e PS-së 3892 dhe 3892/1 në Pogradec, në kuadër të procesit të rienergjizimit të partisë.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Rama tha se “PS pa diskutim është larg së qeni e pagabueshme dhe e papërmirësueshme, por është një garanci për progresin”.

“Në momentin që ti i beson PS-së drejtimin e një komuniteti, ti ke garancinë që do të ketë ndryshime pozitive. E kundërta ka ndodhur kur fatet e komunitetit apo edhe të vendit i janë lënë dikujt tjetër. Komuniteti vetë ka parë që gjërat kanë ngecur, madje në shumë raste kanë degraduar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “po të shohim kontekstin e përgjithshëm Shqipëria sot është në një fazë transformimi historik”.

“Po transformohet në mënyrë që nëse përmbyllet si duhet si fazë, nuk ka kthim mbrapa. Shkohet në një tjetër nivel e synohet një tjetër. Sepse e mira s’ka fund dhe çdo gjeneratë ka të drejtën dhe detyrën që të mohojë gjeneratën e mëparshme dhe të shkojë edhe më para”, tha Rama.

Sipas tij, “për këtë arsye duhet një PS më e fortë se asnjëherë tjetër sot, për Shqipërinë dhe për progresin”.

“Çfarë është bërë në ekonomi duhet të vazhdojë sepse mjafton të shikosh të ardhurat për frymë në raport me ditën kur ne morëm detyrën. Janë rritur në mënyrë shumë të ndjeshme por ka absolutisht potencial dhe është absolutisht e qartë se duhet të rriten ende më shumë. Ekonomia sot është më mirë sesa ka qenë ndonjëherë, por nuk është aq mirë sa të konsiderohet i përmbushur ky cikël qeverisës”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se edhe drejtësia është një tjetër fazë.

“Edhe për drejtësinë është hapur porta e re, por pa diskutim që pas asaj porte të hapur ka një tjetër që duhet përshkruar dhe duhet garantuar se porta nuk duhet mbyllur se na kthen mbrapa”, tha ai.

Kryeministri theksoi se pozicioni ndërkombëtar i Shqipërisë sot është më i miri që ka qenë ndonjëherë.

“Por nuk është diçka që është garantuar si nivel tjetër dhe çfarëdo të ndodhi kështu do jetë. Prapë të gjitha këto janë drejtime ku ne duhet të blindojmë themelet e progresit, të garantojmë vazhdimësinë e progresit. Për këtë duhet PS”, tha Rama./ata