Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Plani i Ri i Rritjes së BE-së për vendet e rajonit, do ta bëjë këtë proces të prekshëm për qytetarët.

I pyetur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisionerin e BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, nëse i ka përgatitur Shqipëria idetë për projektet e tjera të mëdha dhe nëse mund të presin shqiptarët më shumë para sivjet, Rama u shpreh se, “e kuptoj pyetjen për paratë, por mendoj që e përmenda tashmë sesa e madhe është kjo mundësi që kemi këtu, kur vjen fjala tek paratë, kur thashë se vetëm duke ulur koston e transaksioneve financiare, apo për ta thënë shumë thjeshtë, shqiptarët jashtë që dërgojnë para’ në shtëpi dhe që paguajnë 6 herë më shumë sesa paguajnë evropianët kur dërgojnë para’ nga njëra pikë në tjetrën brenda BE-së shkon në një vlerë kursimi prej gjysmë miliardi për rajonin”.

Vlera e transaksioneve aktualisht që kryhet nga qytetarët tanë përmes bankave, sa u përket dërgesave është e ulët. Shumica e kësaj vlerë vjen me para në dorë, një prej arsyeve, arsyeja kryesore është kostoja, sepse dërgon para në shtëpi përmes bankës dhe paguan koston e transaksionit që është 6 herë më e lartë se ajo që paguan fqinji yt austriak që çon para në Suedi. Janë 24 milionë, është shifër e ulët sa i takon numrit të transaksioneve, por është vlerë e jashtëzakonshme, këto 24 milionë euro do të kursehen dhe do të mbeten në xhepat e qytetarëve e familjeve të zakonshme shqiptare. Janë shumë para, apo jo”, u shpreh Rama./ata