Nënkryetarja dhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho u shpreh sot se, “Shqipëria po plaket me shpejtësi”.

“Ndërsa mijëra të rinj ikin çdo vit dhe lindjet kanë rënë në minimumin historik, tregu i punës po përfshin më shumë pensionistë”, theksoi Xhixho në një reagim.

“Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin që lamë pas gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2023, për grupmoshat 15-29 vjeç ishin 21 mijë të rinj më pak të punësuar se në të njëjtën periudhë të vitit 2022”, shtoi Xhixho.

“Punësimi në këtë kategori ra me -7.7%. Ndërkohë që grupmoshat mbi 64 vjeç u futën në tregun e punës, duke u zgjeruar me gati 50%. Pra, mbi 27 mijë pensionistë më shumë se në vitin 2022”, nënvizoi Xhixho.

“Këto shifra tregojnë qartë se qeveria ka dështuar në politikat për të rinjtë, të cilët po emigrojnë në masë. Ka dështuar në politikat e arsimit dhe te punësimit, që nuk u japin mundësi as të rinjve që kanë zgjedhur të qëndrojnë në Shqipëri. Ka dështuar në politikat për familjen, e cila sa vjen e tkurret. Ka dështuar në politikat për pensionistët, të cilët në përpjekje për mbijetesë detyrohen të punojnë. Sepse pensionet në Shqipëri janë më të ulëtat në rajon”, shtoi Xhixho.