Akademia e Sigurisë ka ndërmarrë së fundi një nismë, si institucion i lartë arsimor, duke synuar aktivitete e takime me autorë librash dhe botues të ndryshëm. Kjo është një përpjekje për zgjerimin e fondit të bibliotekës universitare që zotëron AS-ja dhe në këtë mënyrë, institucioni do të jetë i hapur për bashkëpunime, dhurime dhe blerje të reja të titujve të fundit.

Si pjesë e kësaj iniciative u bë prezantimi librit të fundit të publicistit dhe autorit, Pano Hallko: “Ballkani viktimë e gjeopolitikës”. Libri që u prezantua në Akademin e Sigurisë, para kursantëve, studentëve dhe personelit të kësaj akademie.
 
Paneli prezantues në këtë aktivitet përbëhej nga disa profesorë si ish/Ambasador Shaban Murati, prof. dr. Rami Memushaj dhe prof. dr. Pajtim Ribaj. Fjalën e hapjes së aktivitetit e mbajti rektori i Akademisë së Sigurisë, prof. dr. Ilirjan Mandro, i cili prezantoi të pranishmit me veprën e autorit dhe i falënderoi që ata u bënë pjesë e kësaj nisme të Akademisë së Sigurisë.
 
Në fjalët e tyre, të pranishmit në panel, vlerësuan përmirësimet cilësore serioze të bëra nga Akademia e Sigurisë, si institucion i cili së fundi ka kaluar edhe proceset akredituese institucionale dhe programore.
 
Në mbyllje të aktivitetit, tre librat e botuar këto vite nga autori Pano Hallko: “Greqia dhe Shqipëria siç nuk do duhej të jenë” (2020), “Shqipëri të paça ligjet” (2022) dhe “Ballkani viktimë e gjeopolitikës” (2024), u dhuruan për Bibliotekën së Akademisë së Sigurisë./ata