Në kuadër të Ditës Botërore të Punës Sociale është mbajtur sot Forumi i Parë Kombëtar i Punonjësve Socialë “Fuqizojmë Punonjësit Socialë”.

Ky forum u organizua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Urdhri i Punonjësve Socialë në Shqipëri me mbështetjen e UNICEF, përmes programit “Askush të mos mbetet pas”, financuar nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian, nëpërmjet EU4SI.

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu theksoi rëndësinë e fuqizimit më tej të rolit të punonjësve socialë në sektorët jetikë në vend.

Ajo nënvizoi se Ministria e Shëndetësisë ka lobuar bashkë më Urdhrin e Punonjësve Socialë për t’i përshirë punonjësit socialë në sistemin e drejtësisë.

Ministrja Koçiu tha se risi është përfshirja e profesionistëve socialë si ekspertë në gjykatë.

“Kemi punuar fort për të hapur fronte pune në sektorë të rëndësishëm dhe nuk flas këtu vetëm për kujdesin shëndetësor parësor, por edhe për atë spitalor, për edukimin, arsimin. Risi është përfshirja e punonjësit social edhe në sistemin e drejtësisë dhe do duhet që të lobojmë fort për ta përfshirë në fakt edhe në kulturën organizative të institucioneve të administratës publike”, deklaroi ministrja Koçiu.

Sipas saj, punonjësi social mund të kontribuojë për përmirësimin e mjedisit të punës në administratën publike.

“Me ne bota ecën përpara, vendi bëhet më i mirë, shoqëria bëhet më e mirë, familja bëhet më e mirë dhe bëjmë një vend të jetueshëm, solidarë ku jemi të gjithë bashkë, ku askush nuk mbetet pas dhe jam e bindur që do të vijojmë të bëjmë raste suksesi”, nënvizoi Koçiu.

Në sistemin e drejtësisë numërohen rreth 100 punonjës socialë që janë pjesë e strukturave për fëmijët në konflikt me ligjin, gjykatat, sistemin penitenciar etj,.

Gjatë këtij aktiviteti, ministrja Koçiu dha tre certifikata mirënjohjeje për Gëzim Tushe, Julinda Vokopola dhe Klaudio Pulaha për kontributin e tyre në rritjen e vlerave të Profesionit të Punës Sociale në vendin tonë./ata