Akademia e Sigurisë ka ndërmarrë së fundmi një nismë, si institucion i lartë arsimor, duke synuar aktivitete e takime me autorë librash dhe botues të ndryshëm. Kjo është një përpjekje për zgjerimin e fondit të bibliotekës universitare që zotëron AS-ja dhe në këtë mënyrë, institucioni do të jetë i hapur për bashkëpunime, dhurime dhe blerje të reja të titujve të fundit.

Si pjesë e kësaj iniciative më datën 7 mars, u bë prezantimi librit të fundit të publicistit dhe autorit, Pano Hallko: “Ballkani viktimë e gjeopolitikës”. Libri që u prezantua në Akademinë e Sigurisë, para kursantëve, studentëve dhe personelit të kësaj akademie.

Paneli prezantues në këtë aktivitet përbëhej nga disa profesorë, si ish/ambasadori Shaban Murati, prof. dr. Rami Memushaj dhe prof. dr. Pajtim Ribaj. Fjalën e hapjes së aktivitetit e mbajti rektori i Akademisë së Sigurisë, prof. dr. Ilirjan Mandro, i cili u prezantoi të pranishmëve veprën e autorit duke i falënderuar për pjesëmarrjen në këtë nismë të Akademisë së Sigurisë.

Në fjalët e tyre, të pranishmit në panel vlerësuan përmirësimet cilësore serioze të bëra nga Akademia e Sigurisë, si institucion i cili së fundmi ka kaluar edhe proceset akredituese institucionale dhe programore.

Në mbyllje të aktivitetit, tre librat e botuar në këto vite nga autori Pano Hallko: “Greqia dhe Shqipëria siç nuk do duhej të jenë” (2020), “Shqipëri të paça ligjet” (2022) dhe “Ballkani viktimë e gjeopolitikës” (2024), u dhuruan për Bibliotekën së Akademisë së Sigurisë.

Duke e falënderuar autorin për dhurimin e librave, AS fton edhe autorë të tjerë të fushës së sigurisë, që të bëhen pjesë e nismës për zgjerimin e fondit të Bibliotekës së Akademisë së Sigurisë./ata