Sot, përkujtojmë 134-vjetorin e vdekjes së Thimi Mitkos.
Thimi Mitko lindi në Korçë në vitin 1820, ku ndoqi shkollën vendore greqisht. Xhaxhai i tij, Peti Mitko, kishte qenë një ndër krerët e kryengritjes së vitit 1847 kundër Tanzimatit. Të dy e lanë atdheun në vitin 1850, duke shkuar së pari në Athinë, më pas në Plovdiv të Bullgarisë, dhe më vonë në Vjenë, ku Thimi punoi si rrobaqepës.
Në vitin 1866 Thimi Mitko mërgoi drejt Egjiptit, ku iu përkushtua lëvizjes kombëtare dhe ngritjes së një biznesi të suksesshëm në Beni Suef, ku edhe vdiq në vitin 1890. Mitko mblodhi burime të folklorit shqiptar që prej vitit 1866.
Thimi Mitko kishte lidhje me personalitetet e mëdha të letrave shqipe, si Jeronim De Rada, Demetrio Camarda, Dora d’Istria, Jan Urban Jarník, Kostandin Kristoforidhi, Gustav Meyer, etj., duke iu dhënë atyre këngë popullore, gjëegjëza dhe tregime.
Ai ishte edhe autor i shumë shkrimeve në shtypin evropian në mbështetje të çështjes shqiptare. Në këtë drejtim, i jepte rëndësi parësore ekspozimit të të dhënave mbi kulturën shqiptare, që sipas tij do të mund t’i vinte në ndihmë bashkësive shqiptare në mërgatë.
Koleksioni i folklorit shqiptar të Mitkos përmbante këngë, tregime dhe thënie popullore nga Shqipëria e jugut.
Vepra madhore e Mitkos “Bleta Shqiptare” (Alvaniki Melissa) u botua në Aleksandri të Egjiptit në vitin 1878. Sipas autorit, koleksioni kishte si qëllim të ndihmonte bashkësinë shqiptare në Egjipt, duke e ushqyer me të dhëna mbi kulturën shqiptare. Në vitin 1924 kjo vepër u ribotua e rishikuar nga Gjergj Pekmezi në Vjenë, me titullin “Bleta shqypëtare e Thimi Mitkos”./ata