Në kuadër të Javës së Kulturës Hungareze, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka çelur ekspozitën “Franz Nopcsa në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare”.
Franz Nopcsa (1877-1933) ishte një baron, aventurier, studiues, gjeolog, paleontolog dhe albanolog hungarez. Krijimtaria e tij e gjerë përbëhet nga libra dhe artikuj, kryesisht nga fushat e paleontologjisë, gjeologjisë, etnografisë dhe albanologjisë. Një vend të veçantë dhe të rëndësishëm zënë botimet për Shqipërinë, rreth 54 të tilla.
Trashëgimia albanologjike e Nopcsa-s ruhet në Koleksionin e Dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë në Vjenë. Ndërsa në arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ruhen me kujdes të veçantë gjashtë ditarë në dorëshkrim, si pjesë e rëndësishme e fondit Albano-Balkanologjik, të cilët mbajnë edhe vulën e bibliotekës “Lumo Skëndo”.
Ndërkohë që në gjuhën shqipe janë përkthyer e botuar disa nga veprat e tij më të rëndësishme për Shqipërinë, si: “Udhëtime nëpër Ballkan: kujtime nga jeta e Franc Baron Nopça” (2007); “Shqipëria katolike e Veriut” (2009); “Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe: me disa veçanti nga krahinat e Zadrimës dhe nga Shkodra” (2012); si dhe vepra e Bajazid Elmaz Dodës “Jeta e fshatarëve shqiptarë në grykën e Rekës së Epërme, Dibra e Madhe (Maqedoni): vepër historike-kulturore” (2015).
Përveç koleksioneve, ekspozita ofron edhe imazhe nga ilustrimet që përmbajnë faqet e ditarëve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë gjithë javës, në Bibliotekën Kombëtare./ata