Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, gjatë leksionit që mbajti me ftesë të departamenti të Shkencave Ekonomike, Fakulteti i Biznesit, i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, u përqendrua rreth temës “Financat në Ekonominë e Dijes”, si një reflektim mbi fazën e re ku ka hyrë sistemi ekonomik botëror dhe përshtatjen e sektorit financiar me këtë zhvillim.

Gjatë leksionit, zëvendësguvernatorja theksoi rolin thelbësor të inovacionit, zhvillimit të arsimit dhe mbështetjes nga institucionet financiare, si një infrastrukturë ndërmjetësuese për përfshirjen e një vendi në Ekonominë e Dijes.

Ajo vuri në dukje se Ekonomia e Dijes është një mjedis ekonomik që krijon akses për këdo që ka aftësinë të përthithë dije, por edhe të shfrytëzojë dijet ekzistuese, për të përmirësuar procese në zinxhirin e prodhimit, duke rritur produktivitetin.

Vëmendja iu kushtua gjithashtu revolucionit të ri teknologjik dhe potencialit të tij të paeksploruar plotësisht, duke përfshirë ndikimin e inteligjencës artificiale, në zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara në shërbim të jetës sociale dhe ekonomike.

Zëvendësguvernatorja nënvizoi se e ardhmja i përket atyre që nxisin dhe përqafojnë inovacionin si mënyra e vetme për të përfituar hapësirë në këtë bote të re. Një vend të zgjeruar në leksion zuri procesi i zhvillimit të vetë sektorit financiar, i cili në përgjigje të kërkesave të Ekonomisë së Dijes dhe si pjesë e saj, ka shtuar aksesin në financë, ka përshtatur produktet dhe prezencën në ekonomi, duke u bërë mbështetësi më i rëndësishëm i këtij zhvillimi.

Në këtë proces zhvillimi dhe vetëzhvillimi, sektori financiar ka identifikuar teknologjinë si aleatin më të mirë, duke modernizuar sistemin dhe instrumentet e pagesave. Zëvendësguvernatorja referoi gjithashtu mbi sfidat dhe rreziqet që vijnë me inovacionin, duke diktuar nevojën për shoqërimin e tij me rritjen e nivelit të sigurisë paralelisht me shumëfishimin e kanaleve bankare.

Leksioni përfundoi me një diskutim mbi rëndësinë e edukimit financiar të publikut si një objektiv institucional i Bankës së Shqipërisë. Zëvendësguvernatorja theksoi përkushtimin e Bankës për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet dhe mashtrimet financiare, si dhe për të nxitur një ekonomi më të qëndrueshme dhe të gjithëpërfshirëse.

Ky leksion shërbeu jo vetëm si një mundësi për të ndarë njohuri dhe përvojë me brezin e ri, por edhe për të rritur ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së edukimit financiar në një botë që po ndryshon me shpejtësi./ata