Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se me marrjen peng nga SPAK të kontratës për portin e Sarandës pengohen 200 milionë euro investim.

Në një intervistë televizive, Rama u shpreh se kemi ndeshur një situatë e cila ka krijuar një eksperiencë shumë të keqe për të drejtat e zhvillimit të një prone në bazë të një kontrate për sipërmarrësit.

“Nuk i komentoj çështjet që janë në SPAK. Është e drejta e tyre të hetojnë deri në fund nëse ka pasur ndonjë problem, por aty ka një kontratë me një sipërmarrrje dhe marrja peng e një sipërmarrjeje dhe bllokimi i një investimi që sot do t’i kishte dhënë Sarandës një marinë turistike të nivelit që ne pretendojmë të ketë Shqipëria dhe kaq shumë dëshpërimisht ka të drejtë Saranda”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se tashmë marrja peng e kësaj kontrate është në shkelje të plotë të të drejtave të investitorëve.

“Fatmirësisht ata investitorë janë shqiptarë, se po të ishin të huaj do kishin shkuar në arbitrazh”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, drejtësia ka të drejtën absolute të bëjë të gjitha në raport me një procedurë që i takon autoriteteve shtetërore, por nuk ka të drejtë të marri peng një kontratë të nënshkruar”.

“Është një kontratë që obligon shtetin shqiptar. Fati i mirë është që ata investitorë janë shqiptarë dhe nuk kanë zgjedhur rrugën e arbitrazhit, se po të ishin të huaj do të na kishin marrë ‘qimet e kokës’. Aty pengohen 200 milionë euro investim që do të thotë punësim, zhvillim, impakt jo vetëm për Sarandën por edhe në buxhetin e Shqipërisë”, tha Rama./ata