Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është e vetmja që ka qenë aktive me procedura koncesionesh vitin e shkuar ku në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik ka shpallur tre të tilla.
Në analizën vjetore të APP nënvizohet se nga këto tre procedura njëra është finalizuar me fitues me një vlerë investimi 320 milionë euro. Dy procedurat e tjera që edhe pse janë shpallur në vitin 2022 arritën të finalizoheshin me një fitues vetëm këtë vit. Por cilat janë në fakt koncesionet apo partneritetet publike private të shpallura një vit më parë?Procedura e parë e cila edhe u finalizua me një fitues është ajo për ndërtimin e segmentit rrugor Lekaj-Konjat-Fier. Fitues të kësaj procedure ishin një bashkim prej tetë kompanish dhe vlera e të ardhurave që do të gjenerojë ne 35 vite sipas skenarit bazë është 1.3 miliardë euro.
Koncesioni në fjalë parashikon ndërtimin e një rrugë me gjatësi 46 kilometra me një vlerë investimi prej 320 milionë euro pa Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Rruga do të kalojë në gjurmën e rrugës ekzistuese dhe ndahet në dy seksione.
Dy procedurat e tjera janë ndërtimi i dy segmenteve të tjera po me PPP të tilla si Milot-Thumanë dhe Kashar-Pezë-Lekaj. Këto kontrata edhe pse u shpallën në vitin 2022 arritën të kishin fituesit vetëm në shkurt të këtij viti. Për të dyja këto procedura qeveria nuk publikoi vlerën por nëse i referohemi atyre të bëra publike në fazën e çeljes përllogaritja ishte 520 milionë euro.
APP në analizën e saj nënvizon se ligji për konceisonet ka nevojë që të ndryshojë dhe se ajo do të jetë pjesë aktive gjatë vitit 2023 kur do të bëhen edhe diskutimet për ta përafruar atë me direktivën e Bashkimit Europian.
“Sa i takon koncesioneve dhe PPP-ve, shkalla e përafrimit me Direktivën 2014/23/BE është vlerësuar si e pjesshme. Në bazë të analizës së boshllëkut ligjor të realizuar nga ekspertët e SIGMA, është konstatuar që ligji aktual është bazuar në direktivën e mëparshme të koncesioneve dhe nevojitet një ligj i ri cili të reflektojë dispozitat e Direktivës 2014/23” thuhet në raportin vjetor të Agjencisë së Prokurimit Publik.
Koncesionet dhe partneritetet publike private janë bërë jo në pak herë pjesë e raporteve të institucioneve ndërkombëtare financiare të cilat kanë vënë theksin tek kujdesi i monitorimit të tyre dhe detyrimet potenciale që mbartin këto kontrata./MONITOR