Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se vendi i tij ka arritur marrëveshje me Francën për zhvillimin në mënyrë të përbashkët të një tanku luftarak të gjeneratës së re.
Ministri Pistorius foli në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me homologun e tij francez, Sebastien Lecornu.
"Sot kemi realizuar një përparim dhe këtë mund ta cilësojmë pa ekzagjerim si një zhvillim historik", tha Pistorius.
Ai tha se tanku luftarak franko-gjerman nuk do të jetë version i moderuar i tankeve franceze "Leclerc" ose i atij gjerman "Leopard 2", por një model krejtësisht i ri me aftësi të avancuara.
"Kemi arritur marrëveshje për shpërndarjen e të gjitha detyrave që do të bëjë Gjermania dhe Franca për këtë projekt të madh. Së bashku kemi përcaktuar kufij të qartë dhe nuk do të ketë vend për ndonjë koment ose keqkuptim", tha Pistorius.
"Prodhimi i tankut luftarak i gjeneratës së re do të ndahet në mënyrë të barabartë nga industritë e mbrojtjes së vendeve pjesëmarrëse", tha Pistorius i cili shtoi se "Në muajin prill do të nënshkruajmë memorandum mirëkuptimi. Sipas planit aktual më 26 prill do të vizitoj Parisin dhe do të nënshkruajmë këtë marrëveshje"./aa