Liderët e Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Maltës lëshuan një deklaratë të përbashkët duke njoftuar se do të njohin shtetin palestinez.
Në deklaratë thuhet se liderët e vendeve ranë dakord se “e vetmja mënyrë për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon është përmes zbatimit të një zgjidhjeje me dy shtete, me shtetet izraelite dhe palestineze që jetojnë krah për krah, në paqe dhe siguri”.
Në deklaratë thuhet se katër liderët diskutuan "gatishmërinë" e tyre për të njohur një Palestinë të pavarur, duke shtuar se liderët do ta bëjnë këtë "kur mund të japë një kontribut pozitiv dhe kur rrethanat janë të përshtatshme".
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ofroi më shumë detaje pas takimit të Këshillit Evropian në Bruksel.
Duke vënë në dukje se deklarata e përbashkët është "domosdoshmërisht jo e plotë" s ai përket kohës, ai tha se "vendimi është marrë për të njohur Palestinën, tani debati është se kur".
“Brenda Spanjës, kjo nuk ka të bëjë fare me ideologjinë. Ka shumë njerëz nga e majta, e djathta dhe nga qendra që nuk mund të durojnë të shohin se çfarë po ndodh, të gjitha vuajtjet në Rripin e Gazës, padrejtësitë në Bregun Perëndimor. Dhe ata kanë vërtet frikë nga përshkallëzimi i një konflikti që vazhdon prej shumë muajsh. Duhet të kontribuojmë për t'i dhënë fund”, shtoi kryeministri socialist.
Sanchez theksoi gjithashtu se katër vendet e BE-së që janë të gatshme për të bërë këtë lëvizje i përkasin rajoneve të ndryshme në Evropë dhe qeverisen nga parti të ndryshme./aa