Nën drejtimin e kryetares Albana Vokshi  u zhvillua sot mbledhja e parë e “Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi” në Kryesinë e Kuvendit.

Në pikën e parë të rendit të ditës së seancës së sotme ishte konstituimi i këtij Komisioni.

Mbledhja nisi me përplasje mes kryetares së Komiisonit, Albana Vokshi dhe zv/kryetarit Plarent Ndreca.

Vokshi këkroi nga deputetët e PS që të mos bëhen mburojë të korrupsionit.

“Uroj që të gjithë anëtarët e këtij komisioni të mos bëheni mburojë e këtij korrupsioni e të përdorni kartonat kundër interest publik, sepse me 200 milionë euro mund të ishin ndërtuar dhjetra spitale ultramodernë, qindra qendra qshëndetësore dhe dyfishuar pagat e mjekëve”, tha ajo.

Ndërsa Ndreca kërkoi që të mos paragjykohet puna e Komisionit si dhe të pritet vendimi i zbardhur i seancës plenare, përpara se të vijojë puna e komisionit.

Ndërsa deputetja e PD, Ina Zhupa akuzoi zv.kryetarin Plarent Ndreca se ka konflikt interesi në këtë komision.

Ndreca u shpreh se nuk ka konflikt interesi.

“Kam të gjithë kapacitetin profesional për ta vlerësuar vetë nëse kam ose jo konflikt interesi. Nëse do të ketë një të tillë, por siç e gjykoj unë nuk ka një tillë, sepse ato që janë objekt hetimi të prokurorisë dhe sot në dijeninë time kanë shkuar dhe kanë marrë edhe vendimin për mbylljen e hetimeve, nuk janë objekt i veprimtarisë së këtij komisioni”, tha Ndreca.

Kryetarja Albana Vokshi u shpreh se, të gjithë anëtarët duhet të firmosin një deklaratë për moskonfliktin e interesit me këtë komision.

Deputeti i PS, Klevis Xhoxhi, u shpreh se, “kjo mbledhje që duhet të ishte formale u kthye në propagandë partiake”./ata