Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në Kuvend është shprehur se Policia e Shtetit do të ndalojë përdorimin e tullumbaceve me oksid azoti.

 

Balla tha se policia do të bazohet në disa konventa që e cilësojnë këtë lëndë si drogë.

 

“Policia po e bazon veprimin e vet në mungesë të legjislacionit që do e sjellin shumë shpejt në Kuvend për ta klasifikuar këtë formë të oksidit të azotit në një lëndë të palejuar, edhe pse ligji e ka lejuar. Ka hyrë në Shqipëri duke paguar edhe doganën. Duhet vendosur nën kontrollin e shtetit për mënyrën e përdorimit të saj”, tha Balla në foltoren e Kuvendit.

 

Gjatë fjalës së tij Balla pati edhe një thirrje për opozitën. “Ta çojmë të gjithë së bashku këtë paketë të sigurisë në shkolla. Kërkoj mbështetjen e Kuvendit për paketën e sigurisë në shkolla. Mendoj se të rinjve shqiptar i rrezikohet një e ardhme më e mirë nëse nuk ndërhyjmë sot me forcë kundër lëndëve narkotike. Besoj se deputetët e kuvendit do t’i mbështesin ndryshimet që ne duam për të garantuar që çdo keqbërës që i afrohet shkollave të marrë ndëshkim shumë më të ashpër”, tha Balla.