Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit nis sot edicionin e parë të Festivalit të Muzikës Baroke “AlBa”, tashmë pjesë e sezonit artistik të teatrit.
Drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina, ndau në rrjetet sociale programin e mbrëmjes së parë ku janë përfshirë arie dhe duete nga “opere buffe napoletane”.
“Muzikë me shumëllojshmëri ngjyrash dhe repertor i panjohur për publikun tonë, i cili do ta vlerësojë atë patjetër”, shkroi Voshtina në rrjetet sociale. Ky aktivitet zhvillohet në bashkëpunim me Konservatorin e Muzikës “Carlo Gesualdo da Venosa” Potenza.
“Opera buffa” është një zhanër i operës. Fillimisht u përdor si një përshkrim i operave komike italiane të klasifikuara në mënyra të ndryshme nga vetë autorët e tyre si, komedia muzikore, drama komike etj.
“Opera buffa” kryesisht ishin të lidhura me zhvillimet në Napoli në gjysmën e parë të shekullit të 18-të, prej nga u përhap popullariteti i tyre edhe në Romë dhe në Italinë veriore. Këto opera në fillim u karakterizuan nga mjediset e përditshme, dialektet lokale dhe të kënduarit e thjeshtë (basso buffo), kërkesa kryesore ishtë diksioni i qartë dhe lehtësia në të kënduarit e vargjeve të shpejta.
Festivali i Muzikës Baroke “AlBa”, do të jetë një festival dedikuar tërësisht muzikës baroke. Pas Festivalit të Jazz-it të vitit të kaluar, TKOB i rikthehet bashkëpunimit me Konservatorin e Potenzës, Itali.
Përgjatë 4 muajve, do të ketë 10 koncerte të ndryshme, nga 10 grupe që interpretojnë muzikë të famshme dhe më pak të njohura antike, për një audiencë të të gjitha moshave./ata