Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha sot në Kuvend se buxheti i parashikuar për 2024 për bursat prioritare është rreth 1.5 milionë euro.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho për mbështetjen e studentëve të degëve prioritare, Manastirliu  theksoi se “nuk është pak të mbështeten 334 studentë në degët prioritare, të mbështesim me 1.5 milionë euro dhe në kumulativ 5-vjeçar mbi 6 milionë euro të shkojnë në mbështetjen e bursave prioritare për 334 studentë, plus tarifa zero për këta studentë që studiojnë në degët prioritare”.

“Sot kemi 334 studentë në 2 vite studiojnë në këto degë, të cilët në 3 vitet e ardhshme, pasi të kenë mbaruar shkollën janë të impenjuar që të punojnë në sektorët publikë ku ka interes vendi, janë studentë të mësuesisë, do mbarojnë degë të ndryshme si bujqësi, inxhinieri pyjore, inxhineri e mjedisit etj”, tha Manastriliu.

Më tej, Manastriliu u shpreh se “nga 1 korriku fillon rritja e pagave për mësuesit”.

“Rritja e pagave si një rritje historike rrit dinjitetin e mësuesit, rrit motivimin dhe nga ana tjetër do të rrisë edhe interesin e maturantëve për të zgjedhur degët e mësuesisë. Dua të sqaroj edhe këtë mekanizëm që qeveria shqiptare ka ngritur për të rritur interesin e studentëve për të studiuar në ato degë me interes kombëtar”, u shpreh ajo.

“Përgjatë kësaj kohe kemi parë që tregu i punës është shumë dinamik, ndryshimet e teknologjisë, ndryshimet e vendit, zhvillimet ekonomike, zhvillimet në turizëm, në bujqësi kanë sjellë edhe nevojën për të ridimensionuar ofertën universitare, programet e studimit.
Ka degë që janë shumë të kërkuara sepse edhe pagat janë të larta, degë të cilat janë më pak të kërkuara, por që kanë nevojë të ridimensionohen dhe kanë nevojë të ndërtojnë mekanizma për të rritur interesin e të rinjve për të studiuar në këto degë”, nënvizoi Manastriliu.

Ndaj vendimi i qeverisë, vijoi Manastriliu,  i marrë dy vite më parë për të krijuar një incentivë për studentët që studiojnë në degë të riskuara ishte pikërisht ky, studentët të cilët do të studionin në degë si mësuesi, kimi, fizikë, matematikë, inxhinieri navale, apo e minierave, inxhinieria e pyjeve apo bujqësia të ishin të mbështetur financiarisht me bursa sa paga minimale.

“Vitin e parë përfituan studentë të cilët në këto degë u futën për arsye të vendosjes së një mesatareje, vitin e dytë ishte shpjegimi se vendimi i qeverisë në instrumentin që përllogariste kishte vendosur që heqja e mesatares të garantonte më shumë interes për të përthithur në këto degë që janë vendosur si degë prioritare”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastriliu u shpreh se “ka një interes të rritur, është bërë përzgjedhje nga vetë universitetet dhe për degët edhe për studentët bazuar mbi mesataren”./ata