Nga dita e sotme, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të drejtohet nga prof. Alma Cani, e cila deri tani mbante pozicionin e nëndrejtoreshës në Spitalin Rajonal “Shefqet Ndroqi”.

Në takimin prezantues me stafin drejtues të QSUNT, ministrja Albana Koçiu u shpreh besimplotë që drejtimi i QSUNT nga doktoreshë Cani do të sjellë energji të reja në vijimin e transformimit të kësaj qendre spitalore drejt objektivit tonë të Autonomisë Spitalore.

Gjithashtu Koçiu falënderoi prof. Albana Ficon, e cila prej dy vitesh drejtoi me shumë përkushtim qendrën më të madhe spitalore në vend mes sfidave dhe arritjeve.

Në një prononcim nga mediet nga ambientet e QSUT, Koçiu tha se “Alma Cani është një doktoreshë që po ashtu ka një profesion të nderuar dhe ka vite që ushtron profesionin në Qendrën Rajonale Spitalore “Shefqet Ndroqi”. Tashmë ajo do t’i bashkohet ekipit të QSUT-së”.

“Zgjidhja e urgjencës së spitalit qendror pas rënies së zjarrit është pika e parë në rendin e ditës në menaxhimin e punës dhe në axhendën e punës së drejtoreshës së re”, tha ministrja Koçiu.

Ministrja Koçiu theksoi se “nuk është ndalur në asnjë moment shërbimi ndaj qytetarëve, shërbimi po merret në të gjitha strukturat spitalore. Duke treguar edhe njëherë që sa mirë kemi bërë që kemi investuar dhe kemi shërbime që ofrohen edhe në qendrën spitalore “Shefqet Ndroqi” edhe tek Trauma”.

Koçiu prezantoi para shefave të shërbimit drejtoren e re të QSUT-së, Alma Cani.

“Jam besimplotë që drejtimi i QSUNT nga doktoreshë Cani do të sjellë energji të reja në vijimin e transformimit të kësaj qendre spitalore drejt objektivit tonë të Autonomisë Spitalore. E falendërova Prof. Albana Ficon e cila prej dy vitesh e ka drejtuar me shumë përkushtim qendrën më të madhe spitalore në vend mes sfidave dhe arritjeve”, shprehet ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Cani e merr detyrën pas largimit nga drejtimi i QSUT-së të Albana Ficos, post që e mbante prej 3 vitesh./ata