Pas Spitalit Qendror në QSUT, është gati drejt finalizimit një tjetër investim e rëndësishëm, Spitali i Sëmundjeve të Brendshme në korpusin spitalor të Traumës.

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu vizitoi sot nga afër ambientet e këtij spitali.

 

“Spitali i rindërtuar me standardet më të mira, me kapacitet 60 shtretër, do të shërbejë për trajtimin e sëmundjeve të brendshme si dhe do të ketë për herë të parë një qendër konsultash të dedikuar”, tha Manastirliu.

 

Ministrja Manastirliu u shpreh se ‘bashkë me investimet për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, vijojmë me mbështetjen për stafet mjekësore me rritjen e pagës 500 dollarë për mjekët specialistë dhe 7% për të gjithë stafet mjekësore”.

 

“Çdo gjë është drejt fundit, mobilimi dhe pajisjet janë duke u vendosur standardi është i njëjtë”, shtoi Manastirliu.

 

Manastirliu u shpreh se “shërbimet cilësore të aksesueshme për të gjithë qytetarët janë fokusi i punës sonë të përditshme. Ne kemi mundësuar që Spitali Universitar i Traumës të fuqizohet qoftë në teknologji, pajisje biomjekësore por edhe në infrastrukturën e përmirësimit të shërbimit”.

 

“Spitali i sëmundjeve interne ka gjithë të parametrat bashkëkohorë që ne duam të kenë spitalet tona për të ofruar shërbime dinjitoze ndaj pacientëve. Për herë të parë kemi edhe një investim për sa i përket shërbimit të konsultave, pasi është shumë i rëndësishëm”, tha Manastirliu.

 

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT, dhe së bashku me shërbimet ekzistuese, ato të gastrohepatologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë, dializës, njësisë së kardiologjisë, hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.

 

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ketë 9 salla leksioni për studentët e mjekësisë, ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim./ATSH