10 anëtarët e të ashtuquajturës “Hakmarrja për Drejtësi” janë shpallur të pafajshëm edhe në Gjykatën e Lartë.

 

Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë ankimimin e bërë nga prokuroria, për vendimin e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda (në atë kohë), për të pandehurit e akuzuar si pjesë e organizatës famëkeqe “Hakmarrja për drejtësi”.

 

Prokuroria kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë në Mars të 2017-s, një muaj pasi gjykata kishte dhënë vendimin për pafajësi, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit në fjalë.

 

Gjykata i shpalli të pafajshëm 10 anëtarët që akuzoheshin për 18 ngjarje të renda kriminale, vrasje, pengmarrje, grabitje me armë e akte terroriste, të ndodhura brenda një dekade, nga viti 93 deri në vitin 2003.  Sipas vendimit të Apelit të 2017-s, provat e sjella nga prokuroria për nuk mjaftonin për t’i dënuar.

 

Ndërkaq, dhoma e këshillimit në Gjykatën e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.