Ushtria izraelite njoftoi se ka arrestuar 500 palestinezë brenda dhe përreth spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës gjatë javës së kaluar.
Në një deklaratë të ushtrisë izraelite thuhet se të arrestuarit u arrestuan për lidhjet e tyre me grupet palestineze Hamas dhe Xhihadin Islamik.
Nuk pati asnjë koment nga të dy grupet mbi pretendimet izraelite.
Ushtria bastisi spitalin më 18 mars, i cili strehon mijëra pacientë të sëmurë dhe të plagosur, si dhe banorë të zhvendosur.
Sipas zyrës së mediave të qeverisë së Gazës, më shumë se 250 palestinezë janë vrarë dhe plagosur në sulmin izraelit në objekt.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.
Të paktën 32.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza që atëherë dhe mbi 74.500 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa