Ushtria izraelite la pas shkatërrime të mëdha në rajonin veriperëndimor të Rripit të Gazës dhe në qytetin e Gazës, ku u tërhoq kryesisht.

Ekipi i Anadolu-t ka filmuar skenat e tmerrshme të cilat tregojnë shkallën e shkatërrimit që ka prekur zonat e banuara. Rajonet ku u shkatërruan qindra shtëpi dhe ato që mbetën në këmbë pësuan dëme të mëdha, u ngjajnë qyteteve fantazmë.

Në rajonin ku shumë ndërtesa u shkatërruan dhe shumë banesa u dëmtuan rëndë, rrokaqiejt dhe ndërtesat e shembura kanë krijuar grumbuj të mëdha rrënojash. Grumbuj të mëdha rrënojash të krijuara nga rrokaqiejt e shembur në rajonin Al-Maqousi rreth kampit të refugjatëve Shati, ku ndodhen institucionet qeveritare, tregojnë brutalitetin e sulmeve.

Gjithashtu u filmuan xhamitë në rajon dhe një qendër shëndetësore që i përkiste Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA). Në zonat ku infrastruktura është shkatërruar plotësisht nga gërmimi i rrugëve me buldozerë, vërehet se ujërat e zeza rrjedhin në rrugë dhe grumbujt e rrënojave dhe plehrave sjellin fatkeqësi shëndetësore dhe mjedisore.

- "Qyteti fantazmë"

Banorët që jetojnë në Al-Maqousi, i cili ka pamje direkt nga Mesdheu, e përshkruajnë zonën si një "qytet fantazmë" pas tërheqjes së ushtrisë izraelite. Zona e "Sigurisë së Përgjithshme", ku para sulmeve jeta ishte e gjallë dhe ku ndodhen qendrat tregtare dhe argëtuese, tashmë është kthyer në grumbuj rrënojash.

Ushtarët izraelitë duket se kanë shkruar fraza dhe fjalë hebraike në mure, të cilat ende dëshmojnë brutalitetin e sulmeve. Palestinezët që përpiqen të gjejnë shtëpitë e tyre janë të tronditur nga ajo që shohin. Banorët vendas besojnë se do të nevojiten shumë vite për të hequr dhe rindërtuar rrënojat e shtëpive të shkatërruara, institucioneve tregtare dhe ekonomike, shkollave dhe faltoreve.

- "Rajoni duket se është kthyer në epokën e gurit"

Palestinezi Sufyan al-Firani, i cili shkoi për të parë shtëpinë e tij në lagjen Al-Muhabarat në veri të Gazës, e përshkroi situatën në lagjen e tij si "një kthim në epokën e gurit".

Në deklaratën e tij për Anadolu, Firani tha: "Gjithçka që shohim rreth nesh është e shkatërruar. Situata në këtë rajon duket se është kthyer në epokën e gurit. Shtëpia jonë, e përbërë nga gjashtë banesa, u shkatërrua. Disa nga të afërmit e mi ranë dëshmorë në sulme. Edhe fëmijët e mi u plagosën"/

Duke thënë se humbi shpresën se do të kishte shenja jete në Gaza pas përfundimit të sulmeve, Firani potencoi përmasat e shkatërrimit në rajon. "Pamja është tashmë e dukshme, nuk ka nevojë të përshkruhet ky vend me fjalë. Ndoshta nuk do të jetojmë ditët kur Gaza do të rindërtohet", tha ai.

- "Lagje të tëra u shkatërruan"

Firani tha se Izraeli ka shkatërruar plotësisht infrastrukturën në Rripin e Gazës dhe se ujërat e zeza, rrënojat dhe mbeturinat e grumbulluara në rrugë kanë shkaktuar fatkeqësi shëndetësore dhe mjedisore.

"Shtëpia ime, shtëpitë e fqinjëve dhe lagje të tëra ku jetonin civilët u shkatërruan. Pra, ku janë objektivat ushtarakë të shkatërruar nga ushtria (izraelite) në këtë rajon?", tha ai.

- "Shkatërrim i paimagjinueshëm"

Jusuf al-Omeri, një nga banorët e rajonit, tha se shkalla e shkatërrimit të shkaktuar nga Izraeli në rajonin Al-Maqusi ishte e paimagjinueshme.

Duke shpjeguar se ai shkoi për të kontrolluar shtëpinë e tyre pasi ushtria izraelite u tërhoq, Omeri tha: "Kemi patur një ndjenjë të papërshkrueshme kur kemi hasur në këtë shkatërrim të një përmase të paparë në histori. Ne hasëm në skena që mendja nuk mund t'i imagjinonte".

Ai theksoi se "ushtarët izraelitë u përpoqën të shkatërronin gjithçka, përfshirë njerëzit, tokën dhe gurët". Omeri tha se banorët e rajonit i prisnin vështirësi të mëdha pas sulmeve për shkak të shkatërrimit të infrastrukturës, rrjeteve të ujit, energjisë elektrike dhe kanalizimeve.

- "Shtëpitë që ndërtuam me mundin tonë janë zhdukur"

Palestinezja Esma Najm, shtëpia e së cilës u shkatërrua nga sulmet, tha: "Çfarë u kanë bërë shtëpive këtu? Turp për ta. Cili është faji ynë? Ne i ndërtuam këto shtëpi me djersën dhe gjakun tonë. Si do t'i rindërtojmë?".

Duke thënë se ajo dhe familja e saj kanë qëndruar në qendra strehimi dhe shkolla që nga fillimi i sulmeve, Najm tha se ata u detyruan të jetojnë në rrugë për të mos mbetur në rrënojat e ndërtesave të shembura kur ndodhën sulmet ajrore./aa