Është rritur në 27 numri i personave që kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat e dendur në rajonin Espirito Santo dhe qytetin Rio de Janeiro të Brazilit.

Zyrtarët njoftuan se 19 persona kanë humbur jetën në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Espirito Santo dhe 8 të tjerë në Rio de Janeiro.

Rreth 7.300 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë ndërsa 6 persona llogariten si të zhdukur.

Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva në një deklaratë për mediat shprehu solidaritet me familjet e atyre që kanë humbur jetën. Ai tha se të prekurve nga katastrofa do t'u dërgohen ndihma.

Reshjet e dendura të shiut dhe stuhitë do të vazhdojnë edhe për një periudhë kohore./aa